Fruthi shpërthen në Kosovë – 14 raste të konfirmuara, mbi 500 fëmijë të vaksinuar për dy javë
Mbi një mijë fëmijë kanë marrë vaksinën kundër sëmundjes së fruthit këto ditë në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
14 raste janë konfirmuar me sëmundjen e fruthit, për shkak se kanë qenë të pavaksinuar.
Shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Xhevrije Canolli në një intervistë për Ekonomia Online tregoi se vaksinimi mbetet kyç në parandalimin e fruthit.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 16 prilli deri më sot janë regjistruar 14 raste aktive me fruth.
Të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar, domethënë mosvaksinimi ka ndikuar në paraqitjen e kësaj sëmundje ngjitëse që mund të parandalohet me vaksinim.
Canolli u bëri thirrje prindërve që t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i dërgojnë në QMF për vaksinim.
Canolli tha se duhet marrë të dy dozat e vaksinimit në mënyrë që të ketë parandalim të plotë të fruthit dhe se janë duke u vaksinuar nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë.
Doktoresha gjithashtu përmendi se cilët persona janë më të rrezikuar dhe cilat janë komplikimet më të shpeshta shëndetësore.
Më të rrezikuar nga fruthi janë fëmijët e paimunizuar nën 5-vjeç, gratë shtatzëna, personat me imunitet të dobësuar.
Komplikimet mund të paraqiten një në pesë raste. Më të shpeshta janë pneumonia, inflamacionet e veshit apo humbja e përhershme e dëgjimit në rastet kur komplikohet inflamacioni, mandej inflamacioni i trurit ose encefaliti, i cili në rastet e rënda mund të përfundojë edhe në mënyrë fatale.
Ajo u ka bërë thirrje prindërve që të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive.
“Vaksina kundër fruthit te ne përdoret mbi 50 vjet dhe është shumë e sigurt”, tha ajo për EO.

