Kosovë, 4 viktima nga aksidentet brenda 24 orëve, dhjetëra të lënduar në disa qytete
Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 4 aksidente trafiku me fatalitet, 19 aksidente me të lënduar dhe 39 me dëme materiale, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.
Si pasojë e këtyre rasteve, katër persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime.
Një nga aksidentet fatale ka ndodhur në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku janë përplasur dy vetura.
Si pasojë e aksidentit, një burrë ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Një tjetër aksident me pasoja tragjike është raportuar në fshatin Dollc të Klinës.
Dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës, duke pësuar lëndime fatale.
Në të njëjtin aksident janë lënduar edhe katër persona të tjerë.
Viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë, një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar në një aksident ku janë përfshirë tri automjete.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.
Po ashtu, një person tjetër ka ndërruar jetë në QKUK pas disa ditësh trajtimi mjekësor, si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 7 maj në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.
Përveç aksidenteve me fatalitet, policia ka raportuar edhe raste të tjera me të lënduar.
Në fshatin Prekallë të Istogut, një grua ka pësuar lëndime trupore pas përplasjes së dy veturave.

