Hamza prezanton sloganin e fushatës së PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar sloganin zyrtar të fushatës së PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit: “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqen 16 persona të profesioneve dhe grupmoshave të ndryshme duke thënë fjalën “STOP”, Hamza ka theksuar se slogani nuk përfaqëson vetëm një mesazh politik, por një mision për t’i dhënë fund krizave që, sipas tij, po rëndojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.
“STOP krizave politike. STOP çmimeve të larta. STOP pasigurisë, përçarjes dhe mungesës së shpresës”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Hamza.
Ai ka vlerësuar se vendi ka nevojë për ndryshim, stabilitet dhe një qeveri që fokusohet në jetën e përditshme të qytetarëve dhe mirëqenien e familjeve kosovare.
Sipas Hamzës, kërkesa për ndryshim po dëgjohet çdo ditë nga qytetarët në të gjitha anët e Kosovës, veçanërisht nga familjet, të rinjtë, punëtorët dhe pensionistët që po përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale.
“Kur kjo kërkesë vjen nga qytetarët, atëherë ndryshimi nuk është vetëm nevojë – është domosdoshmëri”, ka theksuar ai.
Në fund të videos, Hamza përcjell mesazhin: “T’i japim fund krizave. Ta ndryshojmë bashkë Kosovën!”.

