Shefki Daku: Lus familjet Daku të rikthehen në mbiemrin e parë – kësisoj identifikohet më lehtë origjina dhe lidhja e gjakut
Familja e gjerë Daku nga fshati Laçiq, komuna e Kamenicës, shtrihet, jeton e vepron gjithandej trojeve shqiptare dhe më gjerë.
Sipas profesorit Shefki Daku, fshati Laçiq është themeluar para 300 viteve nga Ali Daku me 5 djemtë e tij.
Nga Rama u formua lagjja e Ramovitëve, nga Uka – lagja e Ukovitëve, nga Syla – lagja e Sylovitëve, nga Hyseni – lagja e Cenakëve dhe nga Fazliu – lagja e Fazliovitëve.
Për shkaqe politike, ekonomike, fetare etj., nga ky fshat, popullata është shpërngulur në drejtime të ndryshme.
Nga trungu i Dakëve, sot jetojnë dhe veprojnë familje në Laçiq, Shipashnicë e Poshtme, Poliçkë, Kamenicë, Petroc, Dobërçan, Përlepnicë, Gjilan, Malishevë, Velekincë, Prishtinë, Vushtrri, Kumanovë, Shkup, Shqipëri, Turqi, Amerikë dhe Europë.
Nga trungu i vërtetë i familjes Daku, nga fshati Laçiq, sot kemi edhe mbiemra të ndryshëm si: Murati, Rahmani, Asllani, Bajrami, Sadriu etj.
Meqë administrata shtetërore ishte serbe, mbiemri Daku është shkruar kryesisht Daki.
Shefki Daku kërkon nga bashkëvendësit, që mundësisht të gjithë ta bëjmë përmirësim përmes procedurave administrative në shërbimin e ofiqarisë.
Ndërkaq për familjet me mbiemra të tjerë, Shefkiu ka një lutje vëllazërore që të rikthehen në mbiemrin e parë – Daku, në mënyrë që të identifikohet më lehtë origjina e familjes dhe lidhja e gjakut, sepse jeta në distancë, në vende, shtete e kontinente të ndryshme, mund t`i zbeh lidhjet mes njerëzve të një trungu.

