Gjilani në kohën e zanatlinjve dhe esnafëve – një qytet që jetonte ndryshe
Shkruan: Ismajl Veliu
Kjo foto paraqet një kohë kur qyteti kishte shumë zanatlinj e esnafë të ndryshëm, të cilët me punën dhe mjeshtërinë e tyre i jepnin gjallëri, identitet dhe frymë qytetit.
Në këto lokale të vogla, që sot shumica nuk ekzistojnë më, punohej me dekada të tëra nga njerëz të ndershëm e punëtorë, të cilët ishin pjesë e pandashme e jetës së përditshme.
Në këtë pamje shihen objektet e vjetra karakteristike të kohës, rrugët e qeta dhe atmosfera e një qyteti që jetonte ndryshe.
Afër shihet edhe Xhamia Shehzade me minaren e saj të lartë, një nga simbolet më të njohura të qytetit, që për dekada ka qenë pjesë e jetës shpirtërore dhe historisë së Gjilanit.
Dikur qyteti kishte më shumë gjelbërim, oborre me pemë, kopshte e rrugë ku freskia dhe hijet e drunjve i jepnin një pamje të veçantë.
Njerëzit njiheshin mes vete, dyert e dyqaneve ishin gjithmonë të hapura dhe esnafët ishin zemra e qytetit.
Në këto lokale punohej nga terzinjtë, berberët, opingarët, farkëtarët e shumë mjeshtër të tjerë që me zanatin e tyre mbanin gjallë ekonominë dhe traditën qytetare.
Çdo rrugë kishte historinë e vet, ndërsa çdo lokal ishte një pikë takimi ku zhvilloheshin biseda, miqësi dhe jeta sociale e qytetit.
Fotografitë e tilla sot kanë vlerë të madhe historike, sepse na rikthejnë kujtimet e një kohe më të qetë, me më shumë gjelbërim, më shumë afërsi mes njerëzve dhe me një frymë qytetare që ende kujtohet me nostalgji.

