Ndahet nga jeta nëna e Besian Mustafës – Abdixhiku: Zonja Bahrije ishte një grua e rrallë!

Eshtë ndarë nga jeta nëna e Besian Musfatës, bashkëshortja e ish-veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa.

Zonja Bahrije ishte një grua e rrallë! – ka thënë kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku.

Postimi i plotë

Jeta i kishte ngarkuar mbi supe peshën e një humbjeje të madhe, por ajo kishte ditur ta shndërronte dhimbjen në dinjitet, forcë dhe përkushtim për familjen dhe vendin.

Me qetësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e saj, ajo mbeti përherë gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj e veprimtarit tonë të madh Xhemail Mustafës.

Bahrije Mustafa na la sot. Me të largohet edhe një pjesë e çmuar e kujtesës sonë kolektive.

Për shumë vite, takimet tona të 23 nëntorit, në përvjetorin e Xhemës, bartnin ngrohtësinë e pranisë së saj.

Ajo ishte aty, me fjalën e matur, me respektin për miqtë dhe me dashurinë e pashtershme për njeriun që i mungoi për një jetë të tërë.

Çdo takim me të ishte një kujtim i gjallë i qëndresës, besnikërisë dhe fisnikërisë.

Edhe kur vitet e kishin lodhur, ajo nuk reshti së ruajturi me krenari kujtimin e Xhemailit dhe vlerat për të cilat ai jetoi.

I dashuri Besian, e dashura Besianë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e nënës suaj.

Gjeni forcë në shembullin e saj, ashtu siç ajo gjeti forcë në momentet më të vështira të jetës.

Zonja Bahrije, pusho në paqe. Bashkohu në amshim me Xhemailin, të cilit i qëndrove pranë me dashuri, besnikëri dhe dinjitet deri në fund.

I përjetshëm qoftë kujtimi për zonjën Bahrije.