Enver Hoxhaj: Kurti hesht për gjuhën shqipe në Maqedoni, buzëqesh me Mickoskin
Kandidati për deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si ka menaxhuar politikën e jashtme dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA.
Hoxhaj tha se politika e jashtme është elementi kryesor që mbron shtetin dhe interesat e tij, por sipas tij, Kosova sot po përballet me një dobësim të pozicionit ndërkombëtar.
Ai vlerësoi se vendi ka një raport të dëmtuar me SHBA-të dhe tha se një nga prioritetet e PDK-së do të jetë rikthimi i partneritetit strategjik me aleatin kryesor të Kosovës.
Hoxhaj kritikoi gjithashtu qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj zhvillimeve rajonale, duke përmendur çështjet që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
”Si mundet një kryeministër të mos thotë asgjë për atë që po ndodh me gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, por të shkojë e të buzëqeshë në takime me Mickoskin”, tha Hoxhaj.
Duke folur për sektorin e energjisë, ai tha se qeveria ka refuzuar projekte të rëndësishme amerikane në fushën energjetike, duke e akuzuar Kurtin se po pengon pavarësinë energjetike të Kosovës.
”Është koha e fundit që të ndodhë ndryshimi i brendshëm politik. Shqetësimi ynë si PDK është më tronditës sepse Kurti nuk po i thotë jo vetëm këtij projekti amerikan të gazit të lëngshëm. Kurti i ka thënë gazit amerikan ‘jo’ edhe në vitin 2021 dhe 2022. Ai nuk dëshiron që Kosova të ketë pavarësi energjetike”, tha Hoxhaj, në RTV21.

