Gjilani njihej dikur si qytet i blinjve, sot s`e ka asnjë
Shkruan: Ismajl Veliu
Gjilani njihej dikur si qytet i blinjve. Këta drurë i jepnin një hijeshi dhe bukuri të veçantë Gjilanit.
Qyteti ishte i pastër, i rregullt dhe plot jetë. Rrugët me kalldrëm i jepnin një pamje karakteristike dhe një frymë qytetarie që ruhet ende në kujtimet e brezave të vjetër.
Gjatë stinës së verës, aroma e blinjve përhapej në çdo cep të qendrës së qytetit. Ishte një erë e këndshme dhe e veçantë që e bënte shëtitjen nëpër qytet edhe më të bukur.
Nën hijen e blinjve, qytetarët bisedonin, pushonin dhe shijonin mbrëmjet verore, ndërsa fëmijët luanin pa brenga në rrugët e qeta të qytetit.
Ajo kohë mbetet e paharruar për shumë gjilanas, jo vetëm për bukurinë e qytetit, por edhe për frymën e ngrohtë njerëzore, respektin dhe afërsinë mes banorëve.
Aroma e blinjve, kalldrëmi i rrugëve dhe gjallëria e qendrës së qytetit janë kujtime që vazhdojnë të jetojnë në zemrat e atyre që e përjetuan atë Gjilan të bukur e plot shpirt.

