Shqipe Mehmeti Selimi nga Gjilani, e katërta grua më e votuar në listën e Vetëvendosjes

Kontributi i saj për Kosovën nisi gjatë luftës çlirimtare, ku shërbeu në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Drenicës gjatë vitit 1998 dhe më pas në Zonën Operative të Karadakut në vitin 1999.
Nga: Nexhmedin Ismaili
Deputetja Shqipe Mehmeti Selimi vazhdon të dëshmojë mbështetjen e gjerë që gëzon nga qytetarët, duke u renditur e 11-ta në listën e përgjithshme të kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa mes grave kandidate të kësaj force politike ajo është e katërta më e votuar.
E lindur në Gjilan, Shqipe Mehmeti Selimi ka një rrugëtim të gjatë profesional dhe institucional, të ndërtuar mbi përkushtimin ndaj vendit dhe shërbimin publik. Ajo ka përfunduar studimet themelore dhe master në Menaxhment dhe Informatikë, ndërsa zotëron rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjermane.
Kontributi i saj për Kosovën nisi gjatë luftës çlirimtare, ku shërbeu në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Drenicës gjatë vitit 1998 dhe më pas në Zonën Operative të Karadakut në vitin 1999.
Pas luftës, ajo vazhdoi angazhimin në institucionet e sigurisë, duke shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës me gradën Kapiten dhe në pozita me përgjegjësi të lartë operative. Më pas, karrierën e saj e vazhdoi në Akademinë e Mbrojtjes si Oficere në Qendrën Simulative.
Në jetën politike, Shqipe Mehmeti Selimi ka përfaqësuar qytetarët si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në disa legjislatura. Ajo ka qenë anëtare e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm në proceset e rëndësishme shtetërore.
Rezultati i saj në zgjedhje dhe renditja ndër emrat më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje dëshmojnë besimin që gëzon tek qytetarët. Për Gjilanin, ajo mbetet një nga përfaqësueset më të spikatura në nivel qendror, me një përvojë të gjerë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe përfaqësimit politik.