Lajm i mirë, ja kur dalin 100 Eurot e studentëve dhe sektorit privat
Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka njoftuar se ekzekutimi i pagesave prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat dhe studentët pritet të bëhet të hënën.
Përmes një njoftimi, Murati ka bërë të ditur se komisionet vlerësuese kanë nisur që nga fillimi i kësaj jave shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, përkatësisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat dhe për studentët.
“Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën”, ka shkruar Murati.
Sa i përket masës për studentët, ai ka thënë se komisioni do ta përfundojë punën pasi të marrë konfirmimet e nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë për studentët që kanë aplikuar.
“Komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim”, ka deklaruar ai.
Në fund të njoftimit, Murati ka theksuar se “Qeveria për të gjithë!”.

