89 vjet jetë me nder, urtësi dhe dashuri për njerëzit

Agron Abazi

Dje u nda nga ne jo vetëm një njeri, por një epokë kujtimesh, urtësie dhe vlerash njerëzore.

U largua nga ne fizikisht një burrë që për dekada të tëra ishte simbol i mençurisë, respektit dhe fjalës së mirë, duke lënë pas një boshllëk që vështirë se mund të mbushet.

Baca Sadri ishte më shumë se një banor i respektuar i Skifterajt. Ai ishte një figurë që njihej dhe vlerësohej kudo për karakterin e tij, për urtësinë dhe për respektin që ngjallte tek secili.

Me plisin e bardhë mbi kokë, që e mbante me krenari deri në fund të jetës, dhe me qëndrimin e tij burrëror e fisnik, ai mishëronte figurën e shqiptarit të ndershëm, të urtë dhe të respektuar.

Prania e tij në çdo tubim ishte e veçantë. Mjaftonte ta shihje për ta kuptuar se kishe përballë një njeri me peshë, me dinjitet dhe me një jetë të pasur në përvojë e mençuri.

Me buzëqeshjen e tij të ngrohtë, me fjalën e matur dhe me shpirtin e madh, ai dinte të fitonte zemrat e njerëzve pa dallim moshe.

Ishte nga ata njerëz që sapo uleshe pranë tyre, e ndjeje veten më të pasur shpirtërisht.

Në çdo tubim ku ishte prezent, rrëfimet e tij të sakta, kujtesa e jashtëzakonshme dhe mënyra e veçantë e të treguarit të bënin ta dëgjoje me admirim.

Çdo bisedë me të ishte një mësim jete.

Të jepte ndjesinë se kishe përballë një njeri që kishte parë shumë, kishte kuptuar shumë dhe kishte ruajtur brenda vetes urtësinë që vetëm vitet dhe karakteri i fortë mund ta formojnë.

Bujaria, dashamirësia dhe komunikimi i sinqertë e bënin të veçantë.

Ai dinte të bisedonte me bashkëmoshatarët e tij, por po aq natyrshëm ulej mes të rinjve e fëmijëve, duke i bërë të gjithë të ndiheshin të afërt me të.

Edhe pse jeta i kishte sjellë sfida e brenga, ai rrallëherë i shfaqte ato. Përkundrazi, përhapte qetësi, mirësi dhe optimizëm tek të tjerët.

Njerëzit si Baca Sadri nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten në kujtimet, rrëfimet dhe dashurinë e atyre që i njohën.

Megjithatë, largimi i tyre lë një zbrazëti të madhe, një heshtje që ndihet në çdo vend ku dikur dëgjohej fjala e tyre e urtë.

Sot Skifteraj ka humbur një nga burrat e tij më të respektuar. Familja ka humbur njeriun e dashur, shtyllën dhe krenarinë e saj.

Miqtë kanë humbur një mik të sinqertë, ndërsa të gjithë ne kemi humbur një njeri që na bënte të ndihemi më mirë sa herë që e takonim.

Derisa dje po zhvillohej ceremonia e varrimit të Bacës Sadri, mendja më kthente vazhdimisht tek kujtimet për të.

M’u kujtuan bisedat, rrëfimet dhe takimet e shumta me këtë burrë të urtë, të cilat lanë gjurmë tek secili që e njohu.

Ishin pikërisht ato kujtime që më shtynë të shkruaj këta pak rreshta për një njeri të rrallë, për një burrë që me urtësinë, thjeshtësinë dhe mirësinë e tij fitoi respektin e të gjithëve.

Ndonjëherë largimi i njerëzve të tillë të bën të kuptosh edhe më shumë vlerën që kanë pasur sa ishin mes nesh.

U prehsh në paqen e Zotit, Baca Sadri!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty dhe qoftë i begatë shpërblimi yt në botën e amshuar për gjithë mirësinë, dashurinë dhe respektin që mbolle gjatë jetës tënde.

Plisi yt i bardhë, fjala jote e urtë dhe buzëqeshja jote e sinqertë do të mbeten përherë në kujtesën e atyre që të njohën.