Bekim Berisha – heroi i dy popujve shqiptar dhe kroat

Autor: Renata Rašović (Večernji list)
Përktheu dhe përshtati: Sabedin Sherifi

Kosovari Bekim Berisha, vullnetar në Luftën e Kroacisë, u dekorua pas vdekjes me Urdhrin e Kryqit Kroat, ndërsa së shpejti do të nderohej edhe me dekoratën “Zrinski” për trimëri në luftë.

E quanin “Shok”, që në gjuhën shqipe do të thotë mik. Më 7 gusht 1991, ai mbërriti nga Brukseli në stacionin kryesor të Zagrebit dhe menjëherë iu bashkua luftës për mbrojtjen e Kroacisë.

Bekim Berisha, një 25-vjeçar nga rrethina e Pejës, po atë ditë u rreshtua në Batalionin e 57-të të Pavarur të Gardës Kombëtare Kroate, me të cilin mbrojti fshatin Komarevo. Ai nuk kërkoi asgjë në këmbim.

Shumë vite më vonë, me rastin e Ditës së Fitores dhe Falënderimit Kombëtar të Kroacisë, ministri kroat i veteranëve, Predrag Matić, e dekoroi pas vdekjes Bekim Berishën.

Pas luftës në Kroaci, Bekimi vazhdoi rrugën e tij luftarake në Kosovë, ku si gjeneral i Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë një figurë heroike për popullin shqiptar.

Koloneli në pension Ivica Pandža, bashkëluftëtar i tij, kujton fjalët e Bekimit:
“Nuk do të vdes në Kroaci. Në Bosnje do të jetë keq, por në Kosovë do të ketë gjak deri në gjunjë dhe fati im është të bie atje.”
Dhe ashtu ndodhi.

Një nga veprat më të njohura të trimërisë së Bekimit ndodhi në Komarevo. Një granatë armike goditi një shtëpi ku strehoheshin civilë kroatë.

Fatmirësisht nuk shpërtheu, por mbeti e ngulitur disa metra nën tokë duke rrezikuar jetën e shumë njerëzve.

Bekim Berisha, pa hezitim, e gërmoi granatën, e nxori jashtë dhe e çaktivizoi, duke shpëtuar shumë jetë.

Rruga e tij luftarake në Kroaci përfundoi pas plagosjes më 16 qershor 1992 në frontin e Slavonisë Lindore.

Me 50 për qind invaliditet, ai jetoi për disa vite në Opatija, derisa në vitin 1996 u kthye në Kosovë, ku tashmë po përshkallëzohej konflikti i armatosur.

Në Kosovë, Bekim Berisha luftoi në radhët e UÇK-së së bashku me figura që më vonë do të bëheshin udhëheqës politikë dhe ushtarakë, ndër ta Hashim Thaçi dhe Sulejman Selimi.

Më 10 gusht 1998, Bekim Berisha ra heroikisht në betejën e Junikut, së bashku me gjashtë bashkëluftëtarë.

Kur koloneli Pandža vizitoi Kosovën në vitin 2007, ai mbeti i mahnitur nga respekti që gëzonte Bekimi.

Në nder të tij ishin ngritur pesë monumente, emri i tij ishte përfshirë në memorialet kryesore të luftës, rrugë në Prishtina dhe Peja mbanin emrin e tij, ndërsa për jetën e tij ishte realizuar film dokumentar dhe ishin kompozuar këngë kushtuar atij.

Pandža kujton: “E kuptova se Bekimi ishte një legjendë e dy popujve. Ai luftoi për lirinë e Kroacisë dhe të Kosovës, dhe ishte i respektuar nga të gjithë.”

Sot, Bekim Berisha mbetet një nga figurat më të veçanta të historisë moderne shqiptare dhe kroate – një luftëtar që dha kontributin e tij për lirinë e dy kombeve dhe që kujtohet si Hero i Kosovës dhe mik i madh i Kroacisë.