Rrugëtimi misterioz i një të riu nga Gjilani për fatin e të cilit nuk dihet prej 30 vitesh
Afrim Latifi nga Gjilani, në tetor të vitit 1995 ishte nisur për Itali, shkaku i kushteve të rënda jetësore, por se çka ndodhi me të nuk u mor vesh asnjëherë.
Që nga ajo kohë, kaluan shumë vite. Nënë Dinorja nuk ia ndau kurrë sytë derës së oborrit, me shpresë se një ditë do të hynte andej i biri, derisa edhe ajo vetë doli nga ajo portë për të fundit herë.
Mundësia e zhdukjes së këtij të riu nga Gjilani, bashkë me shokun e tij, Agim Gagica, rrëfehet në disa versione, por mungon versioni zyrtar.
Ishte thënë se dy të rinjtë nga Gjilani, të cilët më 25 tetor 1995 ishin nisur për Shqipëri, ishin shpëtuar nga dallgët e detit nga një anije britanike, por kjo nuk është konfirmuar asnjëherë zyrtarisht.
Afrimi kishte provuar edhe herë të tjera për të dalë jashtë. Herën e parë, me pasaportë jugosllave, ishte kapur në Hungari.
Policia serbe ia kishte marrë pasaportën, për të mos ia kthyer më.
Jeta e vështirë, e detyron atë që të provojë rrugë të tjera, kësaj here përmes Shqipërisë.
Herën e fundit ishte lajmëruar nga Fieri, duke treguar se si dy–tri herë kishin tentuar të dilnin në Itali, por nuk kishin pasur sukses.
Kishte thënë se do ta provonin edhe njëherë dhe nëse nuk arrinin, do të kthehej në shtëpi.
Në një ditë vjeshte të vonë, në nëntor 1995, e kishte lajmëruar familjen se nëpërmjet detit do të niseshin për në Itali.
Ishte koha kur në Shqipëri nuk pushonin lajmet për përmbytjet e motoskafëve e gomoneve që tentonin të kalon Adriatikun, për të mbërri në Itali.
Një i tillë ishte përmbytur në afërsi të Brindizit. Në mesin e atyre që kishin pësuar në atë tragjedi, nuk figuronin emrat e Afrim Latifit e Agim Gagicës.
Në familjen e Afrimit, është shtuar brenga për fatin e tij. Mungesa e së vërtetës, është dhembja më e madhe.
Që nga ajo kohë, ka vetëm një fotokopje të një artikulli gazete, me titull “Skafi i Semanit ankorohet në brigjet britanike”, botuar në “Koha Jonë”, ku ndër të tjera thuhet se Afrim Latifi e Agim Gagica kishin luftuar me dallgët e detit dhe një anije britanike i kishte shpëtuar në momentin më kritik.
Familjarët u gëzuan kur e lexuan këtë artikull, por s`i të besojnë se ishte i vërtetë, kur zëri i Afrimit nuk u dëgjua kurrë.
Tani në familjen e tij në Gjilan ka ngelur vetëm fotografia e Afrimit, që rri e varur në mur dhe heshtja e dilemat që mbështjellin këtë mister që nuk po zbardhet prej 30 vitesh.
Që nga 25 nëntori i vitit 1995, kanë kaluar shumë vite të ankthit e pritjes, të shpresës e zhgënjimit.
Pritja vazhdon. Familja Sahiti (vetëm Afrimi e kishte mbiemrin Latifi në këtë familje) shpreson ende se kthimi i tij do të ndodhë një ditë.
Në shtëpinë e tyre në Gjilan, ndërkohë kanë ardhur në jetë nipa e mbesa, por ata nuk e njohin xhaxhin e tyre.
Një ditë, mbase Afrimi edhe mund të vijë dhe t`i jap fund misterit që po zgjat prej vitesh.
Ndoshta….shpresa nuk vdes kurrë. /Mediafokus.info

