Vala ekstreme e të nxehtit merr 40 jetë njerëzish deri tani

Dyzet persona janë mbytur në Francë gjatë ditëve të fundit teksa përpiqeshin të freskoheshin për t’i shpëtuar vapës rekord, tha të martën kryeministri, ndërsa një valë të nxehti ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës.

Duke folur përpara një mbledhjeje emergjente mbi valën e të nxehtit, kryeministri francez Sebastien Lecornu tha: “Një plagë e trishtueshme sa i përket mbytjeve, pasi të dhënat e fundit që sapo na janë raportuar tregojnë 40 viktima që nga 18 qershori, shumica prej tyre të rinj”, raportojnë mediat atje.

Në mbarë Francën, njerëzit janë hedhur në kanale dhe lumenj për t’u freskuar. Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, tha se e kupton dëshirën për t’i shpëtuar vapës, por paralajmëroi kundër notit në zona të paautorizuara ose të rrezikshme.

Pjesa më e madhe e Francës ndodhet nën alarm të lartë për vapën dhe pritet të përjetojë temperatura rreth 40 gradë Celsius të martën, sipas Meteo France, ndërsa në disa pjesë të Francës perëndimore temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.

Njerëzit janë këshilluar të shmangin notin pa mbikëqyrje ndërsa vala e të nxehtit përfshin Francën.

Vendi sapo ka regjistruar pasditen dhe natën më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1947. Pesëdhjetë e katër departamente janë nën alarm të kuq, në atë që meteorologët e përshkruajnë si një situatë të paprecedentë.

Të hënën, ekipet e emergjencës nuk arritën të rikthenin në jetë dy fëmijë, 2 dhe 4 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja nga nëna e tyre në makinën e familjes pranë shtëpisë së tyre, tha një prokuror në Carpentras, në juglindje të Francës.

Tre të moshuar humbën jetën në incidente të ndara në rajonin e Bordeaux-së si pasojë e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga vala e të nxehtit gjatë fundjavës.

Edhe Britania, Italia dhe Spanja po përballen me temperatura ekstreme, me rekorde të reja në disa rajone që kanë shkaktuar ndërprerje në shkolla dhe në rrjetet e transportit.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, Evropa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, duke i bërë episode të tilla të zgjatura të vapës gjithnjë e më të mundshme.