Si n`vendlindje kund nuk ka

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe nën organizimin e Shoqatës kulturore – humanitare “Kurexhaj”, në Mahallën e Hajdinve u mbajtën për të 22 herë “Takimet e vendlindjes”, të fshatrave të një trungu (gjaku), Kurexhajve dhe Terziajve.

Bashkëfamiljarë nga Zhegra, që grumbullon më së shumti banorë të këtyre dy fshatrave tashmë të boshatisura, pastaj nga Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Shkupi e Vitia si dhe bashkatdhetarë tanë me qëndrim të përkohshëm në perëndim, u mblodhën mes orës 10:00 e 11:00, nën një atmosferë festive, e me një dashuri të pashoqe për vendlindjen dhe të afërmit, mes të cilëve edhe bija, nipa e mbesa, si asnjëherë më parë.

Para se të hapen zyrtarisht “Takimet…” e sivjetme, kryesia e Shoqatës kulturore – humanitare “Kurexhaj, bashkë me një masë të konsideruar bashkëfamijarësh e të ftuarish, fillimisht bënë nderime te varri i dëshmorit Raif Rrustemi, i cili u vra nga forcat serbe, më 13 prill 1999, ngase shfaqi rezistencë, duke mos pranuar t’iu dorëzohej dhe shtiu në drejtim të tyre, me të vetmen armë që kishte, një revole.

Kufoma e tij u pat gjetur pas tre muajve, përtej shtëpive, përgjatë Udhës së drumit, në mal, me koëkn e prerë dhe katër plumba në gjoks.

Përmes kësaj rezistence, ai ndikoi që forcat serbe të qepeshin pas tij në mënyrë që mbi 150 anëtarë e të strehuar të tjerë në këtë lagje malore të Karadakut, të fshiheshin dhe të shpëtonin pa u zanë nga forcat pushtuese serbe.

“Takimet e vendlindjes” i shpalli të hapura kryetari i Shoqatës, Faik Sejdiu, duke iu dëshiruar mirëseardhje si dhe duke i falënderuar që kësaj here, në mënyrë më masive iu kanë përgjigjur thirrjes për t’u mbledhur e për t’u takuar në vendlindje.

“Jemi kësaj radhe këtu në lagjen e Hajdinve në Terziaj, ku kanë jetuar prej qindra vitesh familjarët tanë, edhe për një arsye madhore, sepse për herë të parë, në këto vise malore të Karadakut, Qeveria e Kosovës, përkatësisht MKRS-ja ka investuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e arkitekturore të kësaj ane, duke e rinovuar shtëpinë – kullë të Xheladin Rrustemit, e duke përgatitur e planifikuar për vitin e ardhshëm edhe dy shtëpitë kulla, atë të Shaqir e Hajdin Rrusemit, e para e ndërtuar diku kah viti 1860, ndërsa e dyta, më 1934.

Gjithashtu, premtime kemi edhe për renovimin e dy shtëpi – kullave të hershme në Kurexhaj, atë të Hafizve, e njohur si kulla e Fetah Kurexhës dhe, shtëpinë kullë të Hazir Kurexhës, për çka jemi shumë falënderues”, u shpreh Sejdiu.

Më pas me fjalë përshëndetëse para të pranishmëve u paraqitën edhe Shaqir Rrustemi nga Mahalla e Hajdinve, prof dr Sabri Kadriu, kryetar i parë i Shoqatës “Kurexhaj” si dhe tash kryetar nderi, Shyqeri Ukshini, në emër të mërgimtarëve si dhe në emër të sportistëve të njohur edhe në planin ndërkombëtar, me një fjalë u paraqit boksieri i peshave të rënda në boksin profesionist, Erzen Rrustemi.

Në programin e sivjetmë të këtyre “Takimeve…”, për herë të parë u përurua një libër, përkatësisht vëllimi poetik i ribotuar me plotësime i shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriu, “NETËT E KARADAKUT”, pas plot 55 vitesh nga botimi i parë.

Për vlerat e këtij libri foli studiuesi i rryer i letërsisë, prof dr. Anton Nikë Berisha si dhe Sabit Rrustemi, i cili zbërtheu paraprakisht edhe trungun familjar të këtyre dy fshatrave, të cilët tashmë po e rrumbullakësojnë brezin e 12-të në këto treva të Karadakut.

Më pas programi vazhdoi me muzikë dhe disa këngë popullore të interpretuara nga këngëtari i njohur i muzikës popullore, Kudret Rrustemi.

U shtrua edhe një drekë e përbashkët familjare për të pranishmit si dhe u bënë vizita nëpër shumë hapësira të kësaj lagjeje e fshati, përfshirë dhe varrezat.

Rruga katër kilometërshe e gjysmë, e cila nuk ishte shumë e përshtatshme për qarkullim të veturave, pamundësoi ardhjen edhe të dhjetëra e dhjetëra bashkëfamiljarëve, të cilët, disa u desh të ktheheshin e, disa të tjerë, duke i ditur këto vështirësi, as të mos niseshin fare.

Organizatori i këtyre takimeve, u zotua se do të bëj presion të mëtejmë të organet komunale që problemi i rrugës të zgjidhet, po, njëkohësisht edhe të risillet rryma në këto dy fshatra, meqë u dëmtua shumë gjatë luftës dhe tash, me rifillimin e ndërtimit të shtëpive, të shenjave të para për kthim banorësh, shihet si domosdo jetësore elektrifikimi, sepse, siç u tha edhe përmes një kënge të kënduar nga Kudreti, “Shkon kah t’shkojsh, si vendlindja vend nuk ka….”

Sabit Rrustemi