Cili gjeneral amerikan kishte deklaruar disa ditë para shpalljes së pavarësisë se kufijtë e Kosovës janë të sigurtë

Retro: Derisa Kosova po bëhej gati të shpallte pavarësinë, gjenerali amerikan John Davoren, disa ditë para këtij vendimi të madh, kishte thënë se paqeruajtësit janë të aftë ta përmbushim misionin e tyre.

Gjenerali John Davoren, komandan i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes në Kosovë, më 23 janar 2008, kishte thënë në Gjilan, se kufijtë administrativ të Kosovës janë të sigurtë në sektorin që mbikëqyrët nga paqerujatësit amerikanë, tani në pritje të vendimeve të mëdha.

Pa dashur të thotë më shumë rreth numrit të ushtarëve, të cilët janë të angazhuar në sigurmin e kufijve, zyrtari më i lartë i ushtrisë amerikane në “Bondstel” kishte thënë se KFOR-i ka numër të mjaftueshëm të forcave në BSHL për të përmbushur këtë mision. Sipas tij, KFOR-i vazhdon të operojë gjithkah nëpër sektorin e lindjes, madje ushtarë amerikanë ka edhe në veri të Leoposaviqit.

Ndryshe, ai e kishte cilësuar shumë të rëndësishëm për Kosovën procesin aktual politik, në të cilin KFOR-i nuk është i përfshirë drejtpërdrejtë, por gjenerali Davoren ishte shprehur i sigurtë se paqeruajtësit janë të aftë që të garantojnë ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë në Kosovë, sepse ky është misioni i tyre.

“KFOR-i nuk është i përfshirë në procesin politik, i cili po zhvillohet për Kosovën, por unë dhe ushtarët e mi jemi duke punuar me shumë kujdes në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me vijën kufitare administrative dhe mund të them se përgjatë kufirit administrativ ekziston siguria”, ka thënë gjenerali Davoren.

Ai ka folur edhe për rrugëtimin drejt të ardhmes, në të cilin po ecën Kosova, duke thënë se jemi të vetëdijshëm se shumica e popullatës së Kosovës me padurim po e pret përfundimin e një procesi, sikundër që ekziston edhe një numër i qytetarëve të këtushëm, të cilët këtë të ardhme e shohim ne një dozë shqetësimi.

“Sa herë që bisedoj me njerëzit e këtushëm, e shfrytëzoj rastin për t`i thënë atyre se unë dhe ushtarët e mi jemi të përkushtuar për të garantuar një ambient të sigurtë për të gjithë, si tani, ashtu edhe në të ardhmen”, ka thënë gjenerali amerikan.

Komandanti i BSHL tha se KFOR-i disponon me kapacitete të mjaftueshme për të demonstruar forcën e vetë në gjithë teritorin e Kosovës, duke përmendur me këtë rast edhe ushtrimet dhe bashkëpunimin e ngushtë me SHPK-në.  (foto arkiv)