Skënder Kosaqa, artisti që jetoi me këngën edhe kur po luftonte me vdekjen

Artisti i këngës burimore, Skënder Maliqi ndërroi jetë në vitin 2012. Skënder Kosoqa, siç njihej ndryshe, shquhej për interpretimin e këngës së mirëfilltë e sidomos ishte adhurues i madh i këngëve të Shqipërisë së mesme, të cilave u jepte shpirtin e tij, kudo që paraqitej, shkruan mediafokus.info

Ai i kishte qëndruar besnik këngës deri në momentet e fundit të jetës.

Është shpërblyer disa herë me mirënjohje e çmime tjera në festivalet e ndryshme kombëtare, për interpretim të mirëfilltë, por më shumë se gjithçka tjetër, ka çmuar publikun, që e mirëpriti sa herë që Skënderi doli në skenë.

Skënder Maliqi nuk hoqi dorë nga kënga as atëherë kur e kuptoi se vuante nga sëmundja e pashërueshme.

E donte jetën, prandaj nuk i dorëzohej sëmundjes, por vdekja e ndau para kohe në këtë bashkudhëtim me këngën.

Solisti Skënder Maliqi ka mbetur në kujtesën e adhuruesve të këngës, si njëri nga zërat më të veçantë që pati treva e Gjilanit dhe melosi popullor shqiptar. Zëri i tij u shua pikërisht në ditëlindjen e 55-të.

Kohëve të fundit, në Gjilan ka pasur një propozim për ndarjen e një çmimi në kuadër të pjesës muzikore të “Flakës së Janarit” me emrin e tij./Mediafokus/