Igballe Huduti në protestën për Zvërnecin, Edi Rama ia publikon fotografinë me Ahmadinexhadin e Iranit

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, prej që ka nisur protesta për Zvërnecin, ka drejtuar gishtin drejt Iranit për ndërhyrje.

Rama në vazhdën e reagimeve të tij rreth protestës dhe organizatorëve, sot ka publikuar edhe një fotografi të Igballe Hudutit, e cila ka marrë pjesë në protestë, e në ndërkohë njihet për simpatinë e saj për Republikën Islamike të Iranit.

Kryeministri shqiptar ka publikuar edhe një fotografi të Huduti ku shihet me Ahmadinexhanin.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.

Postimi I plotë:

Mos u merr me protestuesit…

Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër🤡

Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë🐊🕷️🐜🦂🐍🕸️🪳

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës