Reçica i PDK-së: Ferati shpifi se Rama publikoi foto me mua në zgjedhje

Elmi Reçica i ka reaguar kryetarit të Istogut dhe kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në atë komunë, Ilir Ferati, i cili tha mbrëmë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte publikuar fotografi me deputetin e zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës në ditën e zgjedhjeve.

Reçica i quajti “të pavërteta dhe shpifëse” deklaratat e Feratit në Kanal 10.

“Me keqardhje kam përcjellë deklaratat e pavërteta dhe shpifëse të bëra nga Ilir Ferati në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ka pretenduar se kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi me mua. Ky pretendim është tërësisht i rremë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Reçica tha se ai dhe PDK-ja janë “të interesuar që LDK-ja të jetë një parti stabile dhe e qëndrueshme, sepse i duhet vendit dhe demokracisë sonë”.

“Zhvillimet e brendshme në LDK janë çështje ekskluzive e tyre dhe nuk lejoj në asnjë mënyrë që emri im të përdoret për shpifje, manipulime apo sulme politike ndaj kujtdo brenda asaj partie”, shtoi ai.

Ai tha se e vërteta “është shumë e thjeshtë”.

“Me Perparim Ramën jam takuar më 28 maj, në ceremoninë përkujtimore e organizuar nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit me rastin e ditëlindjes dhe rënies heroike të Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Në atë ngjarje, të organizuar me përkushtim të veçantë, Perparim Rama mbajti një fjalim ekciklopedik kushtuar veprës dhe sakrificës së heronjve tanë. Fotografia e publikuar i përket pikërisht atij organizimi dhe jo ditës së zgjedhjeve, siç është pretenduar në mënyrë të pavërtetë nga Ilir Ferati. I bëj thirrje Ilir Feratit që ta demantojë këtë shpifje dhe këtë të pavërtetë, si dhe të mos e keqpërdorë emrin tim në betejat e tyre të brendshme politike”, tha Reçica.

Ai bashkëngjiti një video të asaj dite, e cila, siç tha, “dëshmon qartë të vërtetën dhe i hedh poshtë pretendimet e bëra nga Ilir Ferati”.