Na ka verbuar politika, kemi filluar ta urrejnë njëri-tjetrin

Selatin Mehmeti

Deri këtu ka mbërritur ndikimi dhe sjellja primitive e shumë njerëzve në raportet shoqërore dhe familjare, për shkak të bindjeve politike.

Është e pabesueshme që sot kam familjarë jo të afërt, apo miq me të cilët kam pasur raporte shumë të mira, jemi shoqëruar në aktivitete të ndryshme dhe sot nuk përshëndeten në rrugë vetëm për shkak të politikës.

Madje kam pasur klientë në librari për vite të tëra që sot nuk vijnë më, vetëm për shkak të bindjeve politike.

Ka edhe të afërm apo lidhje familjare që nuk guxojnë as një “like” të ma bëjnë në Facebook, apo të më urojnë ditëlindjen, nga frika se mos i sheh dikush që kanë uruar një person me bindje tjetër politike.

Si kemi ardhur deri në këtë gjendje, që dikush të urrejë tjetrin vetëm për shkak të politikës?

Kjo është e papranueshme.

Ka raste kur edhe në dasma nuk shkojnë te njëri-tjetri për shkak të bindjeve politike.

Edhe në raste mortore, gjatë ngushëllimeve, në vend që të flitet për respekt e dhimbje, shpesh kalohet në debate politike dhe madje edhe në ofendime.

Politika është futur në çdo bisedë, në çdo takim familjar e shoqëror, saqë duket sikur nuk dimë të flasim për asgjë tjetër.

Nuk flasim për udhëtime, sport, filma, libra apo jetën në përgjithësi, por vetëm për politikë – dhe shpesh me sharje e urrejtje.

E çuditshme është që kurrë më shumë shqiptarët nuk kanë udhëtuar dhe nuk kanë parë botën se sot, e prapë nuk kemi tregime për jetën, por vetëm për politikë.

Kjo është bërë e lodhshme dhe e trishtueshme.

Nuk ia vlen të mbash inat me njerëzit tu për bindje politike.

Ata atje lart përfitojnë, bëjnë biznes dhe jetojnë së bashku, ndërsa ne mbetemi me idhnim e përçarje.

Jeta është e shkurtër – nuk ia vlen të humbet për politikë.