Rikujtim: Rexha ishte më i miri ndër ne, ndonjëherë ndjenin edhe xhelozi por nuk kishin çfarë të bënim
Dr Elez Elezi
Kanë kaluar dhjetë vjet që nga ndarja nga jeta e djalit të axhës, Rexhë Elezi, por kujtimi për të mbetet po aq i gjallë sa dikur.
Lidhja ime me Rexhën ishte e veçantë. Ne u rritëm bashkë në një familje të madhe prej rreth 45 anëtarësh, ku ndanim jo vetëm sofrën dhe punët e përditshme, por edhe gëzimet, sfidat dhe ëndrrat e fëmijërisë.
Të moshuarit e familjes tregonin shpesh se unë dhe Rexha kishim pirë qumështin e së njëjtës nënë, pasi nëna ime nuk kishte qumësht dhe, duke qenë se unë isha vetëm dy javë më i madh se ai, shpesh ushqeheshim bashkë.
Kjo histori e hershme sikur e simbolizonte lidhjen tonë të veçantë vëllazërore.
Fëmijëria jonë ishte e lidhur ngushtë me punën. Në ato vite familja jonë kultivonte mijëra fije duhani, ndonjëherë deri në 45 mijë.
Ishte një punë e rëndë dhe e lodhshme, që kërkonte përkushtim nga të gjithë.
Si fëmijë bënim gara mes nesh: kush do të këpuste më shumë gjethe, kush do të vargonte më shumë dhe kush do t’i bënte vargjet më bukur.
Në të gjitha këto gara, Rexha ishte i pakonkurrencë. Ai kishte një durim dhe mjeshtëri të rrallë.
I ndante me kujdes gjethet e mëdha nga ato të mesme e të vogla dhe krijonte vargje të rregullta e uniforme, aq sa shpesh thoshim me shaka se ishte “arkitekti i vargut të duhanit”.
Lavdërohej vazhdimisht nga të rriturit dhe ishte më i dalluari ndër bashkëmoshatarët.
Nganjëherë ndjenim edhe pak xhelozi ndaj aftësive të tij, por nuk kishim çfarë të bënim – ai ishte vërtet më i miri.
Edhe kur u rrit, Rexha ruajti të njëjtën natyrë. Çdo punë që e merrte përsipër e kryente me përkushtim dhe mjeshtëri.
Ishte njeri që linte gjurmë kudo ku angazhohej.
Në vitet e vështira të rezistencës paqësore, Rexha u bë një aktivist i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i frymëzuar thellësisht nga vizioni i Presidentit Ibrahim Rugova.
Ai ishte mbledhës i Fondit të 3%-shit dhe gëzonte besimin e qytetarëve, sepse njihej si njeri që e mbante fjalën.
Shpesh thoshte: “Njeriu duhet të jetë si Ibrahim Rugova: i butë në sjellje dhe i fortë në qëndrime. Prandaj e do Amerika.”
Rexha ishte një rugovist i bindur. Ai organizonte shkrimin e parullave me mbishkrimin “KR – Kosova Republikë”, shpërndante fletushka ilegale dhe kontribuonte në mënyrën e vet për idealin e lirisë.
Në këto veprimtari ishte i angazhuar edhe vëllai i tij, Agimi, i cili më vonë iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një ngjarje që e dëshmon karakterin e tij ndodhi në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, kur në fshatin tonë, Livoç u dëmtuan varrezat serbe.
Për këtë çështje u organizua një mbledhje e madhe në shkollën e fshatit, ku morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të pushtetit të atëhershëm.
Sapo u hap mbledhja, Rexha kërkoi fjalën. Me guxim të jashtëzakonshëm deklaroi se e dinte kush qëndronte pas atij akti dhe përmendi emrat e personave serbë që, sipas bindjes së tij, ishin përgjegjës.
Pas kësaj deklarate mbledhja u ndërpre dhe situata u tensionua. Më pas ai u thirr në të ashtuquajturat “biseda informative” dhe u keqtrajtua rëndë nga organet e rendit të kohës.
Pasojat ishin të rënda dhe iu deshën muaj të tërë për ta rikthyer shëndetin.
Megjithatë, ai nuk u thye kurrë shpirtërisht. Mbeti i njëjti njeri, i drejtë, i ndershëm dhe i palëkundur në bindjet e tij.
Dhjetë vjet më parë, Rexhë Elezi u nda nga kjo botë, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje dhe te të gjithë ata që e njohën.
Ai la pas tre fëmijë për të cilët ishte krenar: Burimin, veprimtar të përkushtuar dhe drejtor për Integrime Evropiane në Komunën e Gjilanit; Ermalin, njohës dhe entuziast të sportit e fitnesit; si dhe vajzën e tij, e cila ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit.
Sot, në përvjetorin e tij, e kujtojmë me mall, respekt dhe krenari. Kujtojmë njeriun punëtor, mjeshtrin e duhanit, aktivistin e përkushtuar, njeriun e fjalës dhe të guximit qytetar.
Kujtimi për Rexhë Elezin do të jetojë gjithmonë në zemrat tona.

