Sabri Dermaku, një emër tjetër i madh i futbollit nga qyteti i Gjilanit

Shkruan: Ismajl Veliu

Gjilani ka nxjerrë shumë talente, të cilët me lojën, përkushtimin dhe sukseset e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit kosovar dhe përtej.

Njëri prej tyre është padyshim Sabri Dermaku, një emër që gëzon respekt të veçantë në mesin e sportdashësve të këtushëm.

Karrierën futbollistike e nisi në vitin 1972, si pionier dhe junior te Ylli i Kuq i Gjilanit, ku u dallua menjëherë për talentin dhe cilësitë e tij.

Pas zhvillimit në këtë klub, ai iu bashkua KF Drita, ku luajti nga viti 1977 deri në vitin 1983.

Gjatë kësaj periudhe ishte një nga futbollistët më të spikatur dhe një ndër golashënuesit më të mirë të skuadrës, duke dhënë kontribut të madh në sukseset e klubit.

Në vitin 1984, Sabri Dermaku u rikthye te Ylli i Kuq si një përforcim i rëndësishëm.

Me këtë skuadër, në sezonin 1984–1985, u shpall kampion i Kosovës, duke siguruar ngjitjen në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë.

Ai ishte një futbollist standard, luftarak dhe i besueshëm, që me përvojën dhe cilësitë e tij dha një kontribut të çmuar në arritjen e këtij suksesi historik.

Përveç karrierës në klubet gjilanase, ai veshi edhe fanellën e Kitkës së Hogoshtit, një ndër klubet më perspektive të asaj kohe, ku vazhdoi të dëshmojë vlerat e tij si futbollist.

Edhe pas përfundimit të karrierës aktive, Sabri Dermaku mbeti i lidhur ngushtë me futbollin.

Ai shërbeu për disa vite si refer i Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa më pas edhe si delegat i futbollit, duke vazhduar të japë kontribut në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e garave.

Sabri Dermaku mbetet një nga figurat më të respektuara dhe një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të futbollit gjilanas.

Me punën, përkushtimin dhe dashurinë e tij për sportin, ai ka fituar respektin e bashkëlojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve.

Sabri Dermakut i urojmë shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe shumë të mira në familje.