Përleshja mes familjarëve që çoi në plagosje të katërfishtë në Podujevë, çka dihet deri më tani
Katër persona janë plagosur nga të shtënat në qendër të Podujevës të enjten pasdite.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në pamjet dramatike, të publikuara, u panë njerëz të shtrirë në tokë në qendër të qytetit. Sipas pamjeve, fillimisht të përfshirët në këtë rast shihen duke u fjalosur e më pas nxirren edhe armët.
Policia fillimisht raportoi për tre të plagosur, ndërsa më vonë u konfirmua edhe i plagosuri i katërt.
Tre prej të plagosurve janë familjarë të përfshirë në ngjarje, ndërsa personi i katërt është një kalimtar i rastit.
Pas ngjarjes, Basri Shabani, nënkolonel në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë ndau detaje nga rasti.
Tre prej tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili fatmirësisht ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore”, ka deklaruar ai.
Shabani ka theksuar se motivet e ngjarjes ende nuk janë zbardhur. Ai ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se organet kompetente po mbledhin informacione për të sqaruar rrethanat dhe arsyet e incidentit.
Ai ka sqaruar gjithashtu edhe praninë e një zyrtari policor të veshur me rroba civile në vendin e ngjarjes.
“Zyrtari policor që ishte i veshur me rroba civile është hetues i Stacionit Policor në Podujevë. Ai ka qenë në detyrë zyrtare, ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndikuar që situata të mos përshkallëzohej edhe më tej”, ka thënë Shabani.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se hetimet e para tregojnë se të dyshuarit kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i përleshjes lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.
Katër të plagosurit aktualisht po trajtohen në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjendja e të plagosurve është e rëndë, por stabile, ka bërë të ditur drejtori i Emergjencës, Naser Syla./Reporteri.net/

