Kurteshi: Shkeljet në komunën e Gjilanit po vazhdojnë

Ish-deputeti kosovar dhe ish-vendimmarrësi komunal në Gjilan, njëherësh aktivist i LVV, Ismajl Kurteshi, ka kritikuar Komunën e Gjilanit për shkelje ligjore në favor të Këshillit të Bashkësisë Islame, duke i lejuar ndërtimin e një objekti 6-katesh në pronë publike, përkatësisht dhënëien në shfrytëzim të të ashtuquajturit “fshati i lumtur”, i cili është ndërtuar për nevoja të tjera.

Postimi i plotë:

Në fillim të mandatit të parë si kryetar i Komunës, z. Alban Hyseni, e pati lejuar, kundërligjshëm, Bashkësinë Islame në Gjilan, që në pronë publike, pa i përfillur procedurat e parapara me ligj, pa leje ndërtimi, në sipërfaqe prej rreth 50 ari (5000 m/2), të ndërtojë një objekt gjashtë katesh, kinse për administratën e BI-së.

Në lidhje me ndërtimin e këtij objekti, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes aktgjykimit të datës 10 prill 2025, ka konstatuar se ndërtimi i objektit të Bashkësisë Islame, në pronë publike është i kundërligjshëm.

Në shkresën e Gjykatës, drejtuar Kryetarit të Komunës ndër të tjera thuhet se: ”Ligji ju obligon që të urdhëroni ndërprerjen e punimeve dhe truallin ku është ndërtuar ky objekt ta ktheni në gjendjen në të cilën ka qenë para fillimit të ndërtimit”.

Kryetari i Komunës, në lidhje me aktgjykimin e datës 10 prillit, të Gjykatës Themelore të Prishtinës, nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim.

Ndërkaq, punimet në objektin e lartpërmendur po vazhdojnë në kundërshtim me ligjin.

Kryetari i Komunës, përmes KK në Gjilan pati dorëzuar për shqyrtim në Kuvendin e Komunës, për seancën e 26 qershorit 2026, propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet, 75 hektarë tokë, biznesit nga komuna e Ferizajit, i themeluar para dy muajve, (me 24 prill 2026).

Ky propozim – vendim u shty për më vonë, sepse në seancën e 26 prillit u fut në rend dite një propozim tjetër i kundër ligjshëm të cilin

Kryetari i Komunës ka bërë përpjekje ta kalojnë në legjislaturën e kaluar të Kuvendit Komunal.

Për seancën e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, të thirrur për datën 26 qershor 2026, me kërkesën e Kryetarit të Komunës, z. Alban Hyseni është fut në rend të dite pika që ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim, Bashkësisë Islame, të objekteve sociale të njohura me emrin “Fshati i Lumtur”, ky investim i një kompleksi godinash, që ishte donacion i Shtetit të Kuvajtit, në një sipërfaqe prej rreth tre hektarësh në pronë publike, ku janë të ndërtuara dhe mobiluara nëntë objekte, me funksione të ndryshme, që i janë dedikuar personave në nevojë, jetimëve, pleqve etj.

Vlen të theksohet se Kuvendi Komunal i Gjilanit, në përbërjen e kaluar, duke e pas parasysh nevojën e madhe për këto objekte, për kategoritë e lartpërmendura, dy vite radhazi ka nda buxhet për funksionalizimin e këtij kompleksi, por mjetet nuk janë shfrytëzuar, sepse

Kryetari i Komunës, qysh atëherë e ka sjellë në rend dite të seancave së Kuvendit, faljen e “Fshatit të Lumtur” Bashkësisë Islame, mirëpo Kuvendi Komunal atëherë e pati refuzuar kërkesën e kryetarit, si të paarsyeshme dhe kundër ligjore.

Mirëpo, me 26 qershor të vitit 2026, Kuvendi Komunal, bazuar në kërkesën e Kryetarit të Komunës, ia jep, këto objekte, në shfrytëzim për 25 vite bashkësisë Islame, për qëllime edukativo-arsimore, përkundër faktit se ky vendim paraqet një varg shkeljesh ligjore.

Dhënien e “Fshatit të Lumtur”, në shfrytëzim nga ana e Kuvendit Komunal e përcjellin shkeljet ligjore në vijim:

1. Toka ku janë ndërtuar objektet nuk është pronë e Komunës së Gjilanit por e Qeverisë së Kosovës. Objektet janë të ndërtuara në ngastrën kadastrale nr. 1382-0, me sipërfaqe 35950 m/2. Zona Kadastrale Gjilan, vendi i quajtur “Zabeli i Sahitagës”, e cila evidentohet në emër të Republikës së Kosovës.

2. Në LVL, neni 12, paragrafi 2, pika (d), të LVL, në zbatim të nenit 17, pika (c) i jep të drejtë Komunës (atëherë kur toka është pronë e Komunës, e në rastin konkret nuk është) ta shfrytëzojë dhe zhvillojë këtë tokë, por jo që ta jep në shfrytëzim, tokën dhe objektet, aq më pak kur kjo tokë nuk i takon Komunës.

3. Edhe sikur Komuna, të kishte të drejtë që ta jap në shfrytëzim këtë tokë, Komuna do të duhej që ta organizonte një debat publik dhe ta diskutonte këtë çështje me qytetarët, posaçërisht me shoqatën e pensionistëve, grat e pastrehë dhe OJQ-të si HENDIKOSI, Sindromidaun, Pema, etj. të cilat merren me trajtimin e personave me aftësi të kufizuara. Por një gjë e tillë nuk kanë ndodhur.

4. Debat për këtë çështje nuk është lejuar as në seancën e Kuvendit Komunal, me arsyetimin se nuk ka ambient për debat, mirëpo në atë ambient është organizuar votimi që paraqet një shkelje substanciale.

5. Për dhënien në shfrytëzim të “Fshatit të Lumtur”, sipas dëshmitarëve nuk kanë votuar shumica e nevojshme e këshilltarëve komunal.

6. “Fshati i Lumtur” është dhënë në shfrytëzim për zhvillimin e aktiviteteve edukativo-arsimore. Në arsyetimin e Kuvendit, publiku e as këshilltarët komunal nuk janë njoftuara se a e ka fituar ketë të drejt nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës dhe ka kapacitete për zhvillimin e një aktiviteti të tillë Bashkësia Islame në Gjilan.

Vlen të theksohet që në Gjilan, ekzistojnë institucione kompetente arsimore për zhvillimin e aktiviteteve të tilla.

Konsideroj se ky vendim i pa arsyeshëm dhe i kundërligjshëm i Kuvendit Komunal, i influencuar nga Kryetari i Komunës, duhet të shqyrtohet me kujdes dhe të veprohet sipas ligjit dhe nevojave të kategorive të lartpërmendura.