Risi Nuhiu nga Gjilani diplomon në Akademinë Ushtarake dhe emërohet Nëntoger i FSK-së

Një moment krenarie për familjen Nuhiu dhe për të gjithë ata që besojnë në shërbimin ndaj atdheut u shënua me diplomimin e Risi Nuhiut nga Akademia Ushtarake, duke përmbyllur me sukses katër vite përgatitjeje si kadet dhe duke nisur një kapitull të ri në detyrën e Nëntogerit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky sukses nuk është vetëm një arritje personale, por edhe vazhdim i një tradite të lartë atdhetarie.

Risi është djali i veteranit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Nuhiu nga Gjilani dhe rrugëtimi i tij mishëron vazhdimësinë e idealeve për liri, shtetndërtim dhe shërbim ndaj Republikës së Kosovës.

Në mesazhin e tij pas diplomimit, Nëntoger Risi Nuhiu theksoi se grada e fituar është njëkohësisht nder dhe përgjegjësi.

Ai u zotua se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim, duke kujtuar sakrificën e brezave të tërë të popullit shqiptar dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të ruajtur amanetin e tyre dhe për t’i shërbyer me besnikëri atdheut.

Risi shprehu mirënjohje për institucionin që i dha mundësinë e formimit profesional, për familjen e tij që e mbështeti në çdo hap të këtij rrugëtimi, si dhe për shokët e Gjeneratës 2026, me të cilët ndau katër vite sfidash, përkushtimi dhe suksesi.

Diplomimi i tij përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për familjen Nuhiu, por edhe për Republikën e Kosovës, e cila fiton një oficer të ri, të përgatitur dhe të përkushtuar për mbrojtjen e vendit dhe të qytetarëve të saj./Sabedin Sherifi