“A keni me kallajit tepsia-kusia” – kush ishin mjeshtërit e parë të këtij zanati
Punimi i bakrit dhe kallajisja e enëve dikur ishin ndër zanatet më të rëndësishme në Gjilan, ndërsa mjeshtrit që thërrisnin nëpër rrugët e qytetit “A keni me kallajit tepsia-kusia?” ishin të njohur si kallajxhinj.
Me përpunimin e bakrit merreshin kazanxhinjtë, të cilët prodhonin enë të ndryshme shtëpiake dhe për treg, si kazanë, kusi, tepsi, sini, sahanë, legenë, gjygymë, tava bakri dhe xhezve.
Për punën e tyre përdornin bakër, kallaj, nishadër (kripë amoniaku), acid dhe pambuk, materiale që siguroheshin nga Prizreni, Shkupi, Selaniku dhe qytete të tjera.
Si kazanxhi i hershëm që në shekullin e 19-të përmendet Anta Goga,cincar apo vlleh i ardhur nga Prizreni.
Literatura e vitit 1914 shënon se në këtë kohë në Gjilan kishte 3 dyqane të kazanxhinjve-kallajnxhive kurse në periudhën midis dy luftërave botërore dy dyqane të kazanxhinjve.
Në listën e esnafit zejtar më 1921 ishte Todor Saviq-Goga, trashëgimtari i Anta Gogës si dhe Rista Trajkoviq.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitin 1977, shënohet vetëm një kazanxhi me dyqanin e tij në Qendrën Zejtare.
Pas vdekjes së Todor Gogës, punën e kazanxhiut në Gjilan e vazhdoi i biri Qeda apotekari- farmacist, i cili pos punës në barnatore, punonte edhe në dyqanin e trashëguar nga i ati.
Ky ishte kazanxhiu i fundit në Gjilan, sot nuk ka gjurmë të kësaj zejeje, e cila trajtohet si arkaike dhe e pavlerë për kohën.
Ngushtë me këtë zanat ishte e lidhur edhe zeja e kallajxhinjve, të cilët kallajisnin enët e bakrit dhe bronzit, si dhe riparonin enët e dëmtuara.
Shumica e tyre ishin romë ortodoksë, por kishte edhe romë myslimanë.
Ata punonin kryesisht si mjeshtër shëtitës, duke lëvizur nëpër qytet e fshatra me kuaj ose mushka dhe duke kallajisur enët në oborret e shtëpive.
Shpesh, për punën e tyre shpërbleheshin me ushqime në vend të parave.
Në fillim të shekullit XX, në Gjilan punonin tre dyqane të kallajxhinjve, ndërsa pas vitit 1945 deri më 1962 janë regjistruar 29 kallajxhinj me leje pune, edhe pse vetëm tre prej tyre kishin dyqanet e veta.
Sot, këto zeje pothuajse janë zhdukur, duke mbetur pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historisë së qytetit të Gjilanit./Faik Ziyazade
Shēnim: Më gjerësisht rreth zejës së kazanxhinjëve-kallajxhinjëve e keni librin “Zejtaria e Gjilanit”.

