Alarmon qytetari: Mbaturinat mbulojnë rrugën e vjetër Gjilan-Prishtinë

Nëse shikohet numri i gjobave që kanë shqiptuar inspektorët e ambientit në Gjilan, edhe mund të mendojë njeriu se gjendja e mjedisit këtu është në nivelin e duhur, por realiteti flet për diçka krejt tjetër.

Gjithandej sheh deponi të egra, pranë rrugëve, lumenjve, nëpër male, në fusha, prapa objekteve të banimit…

Vaj halli ku po i rrit fëmijët e saj kjo popullatë.

Për këtë gjendje alarmante, fajtor nuk është vetëm inspekcioni. Organet komunale janë fajtore që nuk po zbatojnë politika më të ashpra ndëshkimore ndaj personave të papërgjegjshëm.

Pse duhet të falet apo tolerohet një qytetar që hedh mbeturina aty ku nuk është vendi. Nuk e ka prej zorit. Ekzistojnë kontejnerët dhe deponia e qytetit.

Nevzat Muji, një qytetar nga Bresalci ka alarmuar së fundi gjendjen me disa pamje nga rruga e vjetër Gjilan-Prishtinë, aty ku dikur ishte deponia e qytetit.

“Kjo është gjendja në ish rrugën e vjetër të magjistrales Gjilan-Prishtinë, mbrapa Burgut të Gjilanit, më saktësisht te çezma e gjyshit tonë Lah Gllama” – ka shkruar ai.

Muji i ka ftuar përgjegjësit të reagojnë dhe të marrin masa ndaj keqbërësve.

“Ftojmë organet kompetente, në Gjilan e Novobërdë që te ndërmarrin masa ndaj atyre që po ndotin çdo ditë e më shumë ambientin ku po jetojmë”!/Mediafokus