Mot më i ngrohtë javën e ardhshme

Java e parë e muajit shkurt mbi vendin tonë fillon me mot relativisht të ngrohtë. Kjo situatë meteorologjike do të vazhdoj gjatë gjithë javës, duke kushtëzuar mot relativisht të butë dhe me më pak reshje.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sasitë e borës në vise nën 1000m do të vazhdojnë të shkrihen duke i ngritur edhe më shumë nivelet e lumenjve.

Reshje të pakta shiu pritet të ketë vende–vende ditën e hënë dhe të marte, pastaj pritet të ketë kthjellime dhe rritje të temperaturave maksimale mbi vlerat e mesatareve. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-14 gradë Celsius.

Kushtet biometeorologjike do të jenë relativisht të mira për shkak të prezencës aktive të elementeve meteorologjike. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-11m/s.