Fermerët e revoltuar derdhin qumështin para Ministrisë së Bujqësisë
Në shenjë revolte ndaj situatës së krijuar, disa prej fermerëve kanë derdhur qumësht para objektit të ministrisë, duke thënë se po përballen me humbje të mëdha financiare dhe rrezik serioz për mbylljen e fermave të tyre.
Protestuesit po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për zgjidhjen e krizës, duke theksuar se mosgrumbullimi i qumështit po i lë ata pa mundësi për ta plasuar produktin e tyre në treg.
Fermerët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët, publikimin e rezultateve të analizave për të larguar dyshimet ndaj produkteve vendore, si dhe kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit.
Në protestë po marrin pjesë fermerë nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët kanë ardhur me mjete bujqësore dhe cisterna të qumështit, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë veprimet e tyre nëse kërkesat nuk adresohen nga institucionet kompetente./GazetaInfokus

