Opozita duhet t`i ofrojë Lutfi Hazirin e Vlora Çitakun për president, LVV duhet ta kuptojë se nuk i ka 80 vota
Kosova rrezikon prapë të shkojë në zgjedhje nacionale, nëse LVV nuk e kupton që s`i ka 80 vota për ta marrë për vete edhe postin e presidentit.
E nëse vendoset për një palë zgjedhje tjera, ekziston rreziku që populli t`i bojkotojë ato dhe kështu të futemi në një krizë afatgjatë, e cila nuk i duhet askujt.
Liderët politikë duhet ta lexojnë saktë refuzimin e 65 për qind të votuesve për të dalë në zgjedhje.
Shefki Daku, veprimtar dhe analist politik nga Gjilani, thotë se nga aspekti kushtetues, duhet të kuptohet qartë çka është ‘detyrim’ dhe çka ‘obligim’ i deputetit sa i përket qëndrimit në sallë gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.
Deputeti ka obligim të qëndrojë në sallë, por nuk ka detyrim. Kushtetuta s`e përmend nocionin ‘detyrim’.
Nëse qëndrimi në sallë në rastin e zgjedhjes së presidentit do të ishte detyrues, atëherë do të duhej të ekzistonte edhe masa ndëshkuese për shpërfillje të detyrimit, deri te marrja e mandatit.
Gjykata e ka bërë të qartë se partisë e cila del e para në zgjedhje, i takon posti i kryeparlamentarit. LVV i ka numrat edhe për Qeverinë.
Por, këta numra, LVV-së nuk i mjaftojnë për ta marrë për vete edhe postin e presidentit, sepse që të kryhet procesi në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme, në sallë i duhen 80 deputetë.
Me 61 vota mund ta zgjedh presidentin herën e tretë, nëse 80-shi është i pranishëm në sallë për kuorum.
Daku habitet me disa liderë politikë, analistë dhe madje edhe profesorë të Kushtetueses, të cilët japin mendime kontradiktore për këtë çështje.
Po, ashtu nuk qëndron konstatimi se një parti nuk mund t`i marrë tri postet kryesore.
Mund t`i marrë, si jo, po vetëm duhet t`i fitojë 80 mandate. E, 80 mandate s`i ka fituar askush dhe në demokraci zor se i fiton ndonjëherë.
Sipas Dakut, ngërçi politik sa i përket presidentit mund të tejkalohet brenda 72 orëve.
LVV duhet t`u kërkojë nga një propozim PDK-së e LDK-së.
“Oferta më serioze për postin e presidentit do të ishte propozimi i Lutfi Hazirit (LDK) e Vlora Çitakut (PDK) si kandidatë për president, të dy figura të respektuara, me përvojë të gjatë politike, unifikues e të pranueshëm kombëtarisht e ndërkombëtarisht për pozitën e parë të shtetit”, thotë Daku.

