Mjeku apelon për kujdes gjatë vapës, konsumoni sa më shumë ujë
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF), Valdet Hashani, ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë muajve të verës, duke theksuar rrezikun nga gastroenteritet verore, temperaturat e larta dhe ekspozimi ndaj diellit.
Hashani në një intervistë për Ekonomia Online, tha se qytetarët, veçanërisht bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë dhe në bregdetin shqiptar, duhet të shmangin ushqimet që kontaminohen lehtë dhe të kenë kujdes të shtuar me produktet e qumështit dhe të mishit.
“Pyetjen që shtruat në lidhje me preventivimin ose parandalimin e rasteve të cilat mund të jenë gjatë verës, ose gastroenteriteve verore, ashtu siç quhen, e sidomos në rastet kur kemi shtim të numrit të qytetarëve tanë, bashkëatdhetarëve tanë të diasporës, të cilët vijnë dhe i kalojnë pushimet qoftë këtu apo edhe në bregdetin shqiptar. Fillimisht janë tri komponentë. Domethënë, është komponenta që duhet të kujdesen për vetveten, që mos të vishen me rroba të errëta, por të vishen me rroba të çelëta, me ngjyra të çelëta, të bardha ose ngjyra të tjera, me qëllim të absorbimit më të vogël të dritës. Pastaj të ushqehen me ushqime të cilat, mundësisht, nuk kontaminohen. Domethënë, t’u ikin produkteve të qumështit, produkteve të mishit, produkteve… Për shembull, akulloret. Është stafilokoku dhe streptokoku, të cilët gjenden ose shtohen shumë shpejt në akullore. Edhe akulloret, kur jemi qoftë këtu apo në bregdet, duhet të kemi kujdes se ku i blejmë, meqë mosruajtja e mirë në frigorifer e akulloreve çon në një gastroenterit, e cila pastaj mund të jetë problematike edhe për familjen, por edhe për personin si i sëmurë, pikërisht për shkak se është sëmundje kontagjioze dhe mund t’i infektojë edhe anëtarët e tjerë të familjes”, tha ai.
Ai theksoi rëndësinë e konsumimit të ujit dhe shmangien e pijeve energjike dhe atyre me gaz gjatë ditëve me temperatura të larta.
“Çështje tjetër, e cila është në këtë kontekst, është marrja e sasive të lëngjeve. Kur po flasim për lëngje, nuk flasim për lëngje energjike ose për këto që janë me gaz, por flasim për lëngje natyrale. Po çka është më e mira, është uji. Rehidrimi i organizmit me ujë është mënyra më e mirë e mundshme. Ose, nëse nuk teprohet, edhe me birrë, por kuptohet se birra është… për shkak se, nëse konsumohet sasi më të mëdha, alkooli prezent mund të ketë edhe pak ndikim tjetër në temperaturat e larta”, tha ai.
Hashani ngriti shqetësimin edhe për rastet kur fëmijët apo edhe kafshët shtëpiake lihen në automjete të mbyllura gjatë temperaturave të larta.
“Problem tjetër në këtë fazë është edhe zakonisht kur dalin këta që vijnë prej Perëndimit ose vijnë për pushime, ndalen nëpër stacionet e ndryshme për të marrë ushqim ose diçka dhe i lënë fëmijët në kerr ose në veturën e tyre. Në ato temperatura, mbyllja e fëmijëve ose edhe e kafshëve shtëpiake në vetura është vdekjeprurëse. Duhet të kenë kujdes, domethënë, edhe për ata të tjerët, të cilët, qoftë edhe kur mendojnë se shkojnë për dy-tre minuta për ta furnizuar familjen, mund të qëndrojnë më shumë për shkak se u del ndonjë punë, ndërsa në veturë i kanë anëtarët e familjes. Domethënë, me pasur kujdes edhe për kohën sa ekspozohen ata të mbyllur në makinë në këto temperatura”, tha ai.
Sipas tij, qytetarët duhet të shmangin ekspozimin në diell gjatë intervalit kohor nga ora 10:00 deri në 17:00 dhe të përdorin kremra mbrojtës me faktor të lartë, sidomos tek fëmijët./EO

