E rëndë: 19-vjeçari humb jetën pasi vetaksidentohet me motoçikletë
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Llazicë të Malishevës, ku një 19-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetaksidentuar me motoçikletë.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:40 në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë.
“Sot, rreth orës 15:40, në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë, përkatësisht në fshatin Llazicë të Malishevës, dyshohet se një person është vetaksidentuar me motoçikletë”, ka deklaruar Krasniqi.
Mjeku ka konstatuar në vendin e ngjarjes se drejtuesi 19-vjeçar i motoçikletës ishte pa shenja jete.
“Policia është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Krasniqi për Sinjalin.

