Hyseni: 5 anëtarë shqiptarë të KGJK po synojnë t’i kthejnë në punë gjyqtarët serbë që u dorëhoqën me urdhër të Vuçiqit
Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se “ka dyshime” se “pesë anëtarë shqiptarë” të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), po synojnë të kthejnë në punë gjyqtarët serbë, të cilët kanë tërhequr dorëheqjet e tyre.
Gjyqtarë e prokurorë serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Hyseni thotë se “gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqjen me urdhrin e Vuçiqit” dhe se tash “të njëjtit – prapë me urdhër të Vuçiqit – po kërkojnë të kthehen në detyrë pa asnjë procedurë”.
“Ka dyshime se 5 anëtarë shqiptarë në KGJK po synojnë t’i kthejnë në punë këta gjyqtarët e Vuçiqit, edhe pse është komplet e kundërligjshme. E kanë obligim ligjor e moral që dorëheqjet të procedohen sa më shpejtë te Presidentja”, ka shkruar ajo.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, para dy ditësh ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Për këtë veprim të Haxhiut pati reagime nga Bashkimi Europian, i cili tha se i ka bërë vazhdimisht thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe marrëveshjet e dialogut.
“BE-ja mirëpret tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës. BE-ja shpreh shqetësim për vendimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që tashmë ishin tërhequr, si dhe për vendimin e sotëm të presidentes në detyrë për t’i dekretuar ato dorëheqje. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, tha BE.
Shqetësim shprehi edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila tha se kishte mirëpritur Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës.
Në një reagim, ambasada britanike tha se dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 i kanë konsideruar si një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës.
“Ne e mirëpritëm qëndrimin e kahershëm të organeve profesionale përkatëse, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave. Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dje ka njoftuar se ka caktuar takimin e radhës për të premten e 24 korrikut 2026, në të cilin në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.
Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
Ndërkohë, sot Këshilli Prokurorial ka bërë me dije se në konkursin e ri do të mund të aplikojnë sërish ish-prokurorët.

