Kundraxhinjtë (këpucëtarët) e Gjilanit – një historik për këtë zeje të lashtë

I vetmi zanat që kishte jetë të gjatë në Gjilan, ishte ai i kundraxhinjëve apo këpuctarëve të cilët sikur berberët ishin të njohur në këtë qytet me tregimet nga jeta e përditshme.

Berberët në këto tregime kishin konkurencën e fortë nga ana e kundraxhinjëve/ këpucëtarëve.

Në kohërat e kaluara tek kundraxhinjtë ishte banka e pritjes, derisa këpucëtari rregullonte këpucët, myshterinjtë tregonin meselet e veta, që ishin vetëm disa copëza nga jeta shpirtërore.

Në dyqanet e kundraxhinjëve shpesh ka ndodhur që qytetarët e moshuar por edhe myshterinjtë e largët qëndronin me orë duke pritur, por edhe për biseda, që përcilleshin me ndonjë kafe, çaj, cigare.

Aty tregoheshin rrjedhat e qytetit, vuatjet, tregoheshin dhembjet dhe sëmundjet por edhe bëheshin hajgare dhe tregoheshin anekdota të ndryshme.

Zeja e këpucëtarëve është mjaft e hershme dhe fillimisht mbathjet punoheshin në formë opingash nga lëkura e lopës, buallit etj., kurse më vonë edhe nga llastiku.

Me kohë dhe sidomos para luftës së dytë botërore merr hov prodhimi i këpucëve të llojeve të ndryshme, të llojit të tanishëm si për meshkuj, ashtu edhe për femra e fëmijë. Bëheshin edhe sipas porosive të klientëve.

Që nga fillimi tërë proceset e prodhimit bëheshin me dorë nga mjeshtrit këpucëtarë dhe ndihmësit e tyre.

Lëkurët e porositura bliheshin nga tabakët e qytetit, por edhe më larg.

Në bazë të literaturës në dispozicion, në fillim të shekullit XX, në Gjilan kishte 12 dyqane të këpucëtarëve, mirëpo numri i dyqaneve me kalimin e kohës filloi të bie.

Kjo ishte pasojë e fillimit të importimit të këpucëve të prodhimeve fabrikore që nga periudha midis dy luftërave botërore e deri më sot.

Kjo zeje e cila ishte edhe shpesh trashëguese, mirëpo gjithnjë e me shume është reduktuar me depërtimin e prodhimeve industriale me çmime të lira, tani kjo zejtari pothuaj se nuk ekziston, dyqanet e tyre i shndërruan në shitore për shitjen e këpucëve dhe prodhimeve tjera që zë fill edhe zhvillimi i galanterisë, në vend të tyre janë hapur shitore të specializuara të këpucëve.

Sot në Gjilan kanë ngelur disa dyqane për arnimin dhe riparimin e këpucëve.

Si në çdo zeje edhe tek këpuctarët janë krijuar anekdota, siç është kjo në vijim:

Një herë dy këpuctar ishin duke ngrënë mengjes (samun me mazë), vjen një fshatar dhe kur i pa ata duke ngrënë, lakmoi dhe i pyeti:

– Çka po hani kështu?!

– Samun me mazë!…

– A do edhe ty ta bëjmë?- përgjigjen ata duke qeshur.

– Po ani more!-u thotë ai.

Ata ia blejnë samunin, mirëpo në mes të tij në vend të mazës ia qesin dy lugë ngjitës të këpucëve, e cili kishte ngjyrë të bardhë.

Fshatari me apetit që i kishte ardhur për momentin e kishte ngrënë samunin dhe i falënderon për këtë dhe kthehet në fshat.

Mirëpo dy këpuctarët i zë meraku se mos fshatari është helmuar nga ngjitësi i këpucëve,sepse ai një kohë të gjatë nuk ishte dukur më në sheher.

Pas një kohe të gjatë, fshatari sërish kishte ardhur në dyqanin e tyre dhe që të dy edhe gëzohen edhe frikohen se si do të reagojë myshteriu i tyre nga fshati.

Mirëpo çdo gjë kishte shkuar në rregull.

Pasi e pyeten se si është me shëndet, i thanë se lukthin e kishte si sahati Serkisuf./Faik Ziyazade