Raportohet për rrahje në Burgun e Dubravës – dy të burgosur përleshen në Pavijonin 5, përfundojnë në spital

Një tjetër incident është regjistruar gjatë natës në Burgun e Dubravës, ku dy të burgosur janë përfshirë në një përleshje fizike, mëson Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rrahja ka ndodhur në Pavijonin 5, krahu J1, ndërsa në incident janë përfshirë dy te burgosur.

Burimet bëjnë të ditur se pas përleshjes, të dy të burgosurit kanë pësuar lëndime dhe aktualisht po marrin trajtim në spitalin shëndetësor të institucionit korrektues.

Ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar në konflikt, natyra e lëndimeve apo nëse ndaj të përfshirëve janë ndërmarrë masa disiplinore.