Polici nga Malisheva nuk u mbijeton plagëve të aksidentit – kolegu i tij e kujton me dhimbje
Ka ndërruar jetë polici Altin Kryeziu nga Malisheva, i cili ditë më parë ishte aksidentuar gjatë kryerjes së detyrës.
Kryeziu prej disa ditësh ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, pas lëndimeve të marra në aksident.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët.
“Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se, edhe pas përpjekjeve maksimale dhe luftës së madhe për jetën, sot Altini na la!
Në këto momente të rënda, fjalët janë të pakta për ta përshkruar dhimbjen që ka kapluar familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që e deshën Altinin”.
Vdekja e policit Altin Kryeziu, i cili kishte mbetur i lënduar rëndë pas një aksidenti në krye të detyrës, ka pikëlluar familjarë, miq dhe kolegë të tij.
Një nga ish-kolegët e Kryeziut ka reaguar pas lajmit për vdekjen e tij, duke kujtuar kohën që kishin kaluar së bashku në Akademinë e Policisë.
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kolegut tim Altin Kryeziu, me të cilin pata fatin të ndaj ditët e Akademisë së Policisë”, ka shkruar ai.
Ai tha se kujtimet dhe momentet e përbashkëta do të mbeten gjithmonë në kujtesën e tij.
“U prehsh në paqe, koleg. Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën”, përfundon reagimi.
Kryeziu kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore prej disa ditësh pas aksidentit të pësuar gjatë kryerjes së detyrës.

