“Alibabët e kanë Bajram gjithmonë” – kujtimi për Bunarin e madh
Sabedin Sherifi
(Një kujtim nga bujaria e madhe e fshatit)
Dikur, në fshatin tonë, ishte një bunar i madh, ose pus, ku njerëzit merrnin ujë dhe mblidheshin banorët e lagjes.
E kishin hapur Aliu dhe bijtë e tij, Mustafai, Beqa dhe Sejda.
Me kalimin e viteve, bunari mbeti mes tokave të tre vëllezërve, por u bë një pasuri dhe bekim për gjithë fshatin.
Aty vinin gratë, vajzat dhe bijat e martuara për të mbushur ujë për familjet dhe kafshët.
Uji nxirrej me kova e litarë dhe ndahej me kujdes, pa ia mohuar askujt nevojën.
Kushdo që kishte etje, nevojë apo një familje për të furnizuar, gjente gjithmonë një dorë të hapur.
Por bunari ishte edhe vend takimi e muhabeti. Gratë shkëmbenin lajmet e lagjes, sepse në atë kohë nuk kishte telefona apo internet. Zërat, të qeshurat dhe rrëfimet dëgjoheshin larg.
Bunari ishte, si të thuash, një gazetë e gjallë dhe një vend ku bujaria tregohej përmes mikpritjes, ndihmës dhe kujdesit për njëri-tjetrin.
Burrat mblidheshin nën hijen e pemëve, sidomos pranë Dardhës së Nazifes, që e kishte marrë emrin nga një grua muhaxhere nga rrethi i Nishit.
Aty bisedonin, këndonin dhe pushonin, duke ndarë me njëri-tjetrin bukën, lajmet dhe të mirat.
Për këtë lagje, zhegovcasit thoshin: “Alibabët e kanë Bajram gjithmonë.”
Alibabët njiheshin për veshjen e mirë, krenarinë dhe bujarinë e tyre.
Të shtunave shkonin në pazar me qerre e kuaj dhe ktheheshin me mallra e lajme të reja nga shehri, të cilat i ndanin me familjarët, miqtë dhe fqinjët.
Lama – festa e madhe e verës
Me ardhjen e verës fillonte lama. Korreshin drithërat dhe mblidhej buka e motmotit.
Puna bëhej bashkë: sot te njëri, nesër te tjetri.
Ishte një lloj solidariteti të pashkruar, ku askush nuk mbetej vetëm përballë punës së rëndë.
Shirja bëhej me kafshë, e më vonë me makina. Pluhuri i mbulonte të gjithë, por askush nuk ankohej.
Ishte vera e punës, e bukës dhe e bashkimit të lagjes.
Pas lodhjes vinin sofrat e përbashkëta, ku buka ndahej me zemërgjerësi dhe çdo familje sillte çfarë kishte.
Bunari që mbeti në kujtesë
Sot bunari mund të mos jetë më si dikur, por për ata që e njohën, ai nuk ishte thjesht një pus.
Ishte vendi i ujit, i lajmeve, i takimeve dhe i kujtimeve. Ishte zemra e lagjes, ku jeta kalonte nga një kovë te tjetra, nga një bisedë te tjetra dhe nga një brez te tjetri.
Aty mësohej se bujaria nuk matet me pasurinë, por me gatishmërinë për të ndarë atë që ke me të tjerët.
Kur përmendet Bunari i Madh, kujtohen njerëzit, zërat, të qeshurat, puna, mikpritja dhe një kohë që nuk kthehet më.

