Abdixhiku: Kemi kaluar nga parimet te emrat konkretë për presidentin, nuk mund t’i bëjmë publikë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin e sotëm me Lëvizjen Vetëvendosje kanë vazhduar diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Abdixhiku tha se, pas dakordimit për parimet dhe profilin e presidentit në takimin e kaluar, palët sot kanë kaluar në diskutimin e emrave konkretë.

“Në tërësinë e emrave të prezantuar, mund të them me bindje të plotë se të gjithë emrat, në masë të madhe, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, kalimi nga diskutimi për parimet te emrat konkretë përbën një hap përpara në procesin e negociatave.

“Ky është një hap përpara, meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve, kemi kaluar në emra, për shkak të ndjeshmërisë së procesit”, u shpreh ai.

Megjithatë, Abdixhiku tha se emrat nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë.

“Ju lus për mirëkuptim: nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i LDK-së.

Abdixhiku foli edhe për qëndrimin e LDK-së ndaj situatës institucionale, duke thënë se partia e tij synon të kontribuojë në stabilitetin e vendit.

“Jemi të interesuar që t’i japim stabilitet Republikës së Kosovës. Në Kosovë ka shumë zëra për destabilitet e shumë pak zëra të arsyeshëm për stabilitet, duam të jemi zë të arsyes për këtë stabilitet”, tha ai.

Ai theksoi se LDK-ja nuk është “vagon” i ndonjë partie tjetër dhe se vendimet i merr në bazë të bindjeve të veta.

“LDK-ja është e LDK-së. Vetëm e anëtarësisë së LDK-së. Mësohuni me një LDK të tillë, ju lutem”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se partia e tij është e vetëdijshme për afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe se po përpiqet të gjejë një zgjidhje që do të shmangte një krizë të re politike dhe zgjedhje të tjera.

“Gjëja më e lehtë që mund ta bësh në Kosovë është tërhiqesh dhe ta lësh vendin të shkojë në kriza të vazhdueshme, pa asnjë zgjidhje. LDK-ja këtë kulturë institucionale nuk e ka”, deklaroi Abdixhiku.

Ai përsëriti se bisedimet do të vazhdojnë, me synimin që palët të arrijnë marrëveshje për presidentin apo presidenten e ardhshme të Kosovës./Reporteri.net/