Autostrada e Gjilanit ka zhdukur burimet e ujit në Malësi

Sabedin Sherifi

Në zonën e Haneve të Zhegocit dhe në lagjen Aliu të Vërbicës, dikur ekzistonin burime natyrore sipërfaqësore të ujit.

Ato burime kanë qenë pjesë e jetës së banorëve për vite e dekada, duke u shërbyer familjeve, pemishteve, bujqësisë dhe blegtorisë.

Sot ato burime nuk ekzistojnë më. Janë tharë.

Në të njëjtën zonë është bërë një ndërhyrje jashtëzakonisht e madhe në terren, me prerje të malit në thellësi mbi 50 metra, për ndërtimin e autostradës së Gjilanit.

Kjo ngre një shqetësim serioz për banorët:

A ka ndikuar kjo prerje masive e malit në sistemin natyror të ujërave nëntokësore dhe në tharjen e burimeve?

Kjo nuk është vetëm çështje e një burimi uji. Pasojat mund të jenë shumë më të mëdha.

Në këtë zonë ka familje, pemishte, bujq, ferma blegtorale dhe toka bujqësore, të cilat kanë nevojë për ujë për të mbijetuar dhe për të vazhduar veprimtarinë e tyre.

Banorët nuk kërkojnë të pengohet zhvillimi dhe ndërtimi i autostradës. Ata kërkojnë që zhvillimi të mos bëhet duke sakrifikuar burimet e ujit dhe ekzistencën e tyre.

Prandaj duhet të bëhet një hulumtim i mirëfilltë hidro-gjeologjik dhe një vlerësim i ndikimit të punimeve, për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur me burimet e ujit dhe nëse ekziston lidhje mes ndërhyrjeve në mal dhe tharjes së tyre.

Sepse rruga ndërtohet, por uji është jetë.
Dhe kur një burim që ka rrjedhur për dekada thahet, dikush duhet të japë përgjigje.