Kjo shoqëri ende e sheh femrën vetëm si objekt seksi
Selatin Mehmeti
- Është interesant nëse e përcillni me kujdes, po thuajse në te njejten kohë te vitit të kaluar fillon sezoni dhunës, i cili nisë me një rast dhe vazhdon sikur hapet sezona e dhunës dhe vrasjeve te grave apo vajzave.
Nuk kryen punë as varja në mes të qytetit, as pushkatimi i dhunuesve të vajzave dhe grave tona, sepse krimineli, kur i vjen të kryejë një krim, ai hiç nuk mendon se sa vjet mund të dënohet.
Punë kryejnë emancipimi, edukata familjare dhe edukata seksuale të shëndosh e njerzor në shkolla.
Femrën shqiptare e ka ruajtur Kanuni i Lekë Dukagjinit, turpërimi i familjes.
Familja e dhunuesit është përjashtuar dhe, në shumë raste, është shpërngulur nga fshati apo mëhalla.
Kemi raste kur, pa dhunë, me dashuri, nëse dikush është dashuruar me një vajzë të të njëjtit fshat, i kanë shpërngulur, sepse është konsideruar si turp i madh të martohesh me bashkëfshataren.
Raste të rralla ka pasur kur janë martuar mes vete.
Edhe në shkollë, nëse kanë qenë në të njëjtën klasë, ka qenë turp dhe ligësi të konsiderohej se dikush e kishte tradhtuar shokun duke u martuar me shoqen e klasës.
E sot situata është krejt ndryshe. Askush nuk merret më me këto gjëra.
Nuk kemi më norma: me kë martohet, a është nga një familje e mirë apo e keqe.
Vetëm a ka para – asgjë tjetër nuk intereson askënd.
Në të kaluarën ka qenë shumë problem të martohej një mashkull problematik, sepse nuk ka dashur askush të bëhej mik me të.
Amerikanët e kanë dënimin me vdekje, por dhunimet dhe vrasjet akoma vazhdojnë.
Shihni komentet në Facebook se si mbrohen dhunuesit.
Kjo shoqëri ende e sheh femrën vetëm si objekt seksual.
Një mirësjellje, një kafe me një të panjohur, mund t’i kushtojë shumë një vajze, sepse mentaliteti ynë është i tillë: nëse hipi në një makinë ose pi një kafe me dikë, ajo patjetër është duke dashur seks me atë tipin.
Kështu kuptohet te ne.
Madje konsiderohet dobësi që një femër të hipë në makinë me një mashkull dhe ai të mos i bëjë asgjë.
Tipi nuk guxon as t’u tregojë shokëve të vet se nuk i ka bërë kurgjë, sepse menjëherë e quajnë “horrë”.
Shoqëria jonë ka nevojë të emancipohet. Pa emancipimin e femrës, nuk ka emancipim të mashkullit.
Shkollat duhet të kenë programe të veçanta për edukimin e të rinjve, për një raport të shëndoshë, njerëzor dhe seksual.
Femra nuk është objekt seksual. Ajo është edhe nënë, motër, hallë, teze dhe grua e vëllait.
Dhuna seksuale mund të jetë kudo: në fakultete, nga profesorë që i kushtëzojnë studentet duke u kërkuar seks në këmbim të notave; në qeveri, në shëndetësi, në polici – kudo ku ka gra.
Të mos bëhemi hipokritë: dhunim është edhe atëherë kur dikush detyrohet të kryejë marrëdhënie seksuale në këmbim të një favori.
Problemi nuk zgjidhet vetëm me dënime më të ashpra.
Problemi zgjidhet duke ndryshuar mentalitetin, duke edukuar fëmijët dhe të rinjtë dhe duke ndërtuar një shoqëri ku gruaja respektohet si njeri, jo si objekt jo si pronë!

