Luftë maratonike

DAUT DAUTI

Në spitalet e Britanisë së Madhe, më shumë se 100 të infektuar, sot nuk janë zgjuar për ta parë dritën e këtij mëngjesi.

Nga sot numri i vdekjeve brenda ditës do të jetë më i lartë se 100. Në fillim të javës së ardhshme do të dyfishohet. Njerëzit e pafat janë shndërruar në shifra dhe kjo duket se është bërë e pranueshme.

Për t’u përballuar siç duhet me virusin, Britanisë i duhen 30 000 ventilatorë kurse momentalisht i ka vetëm 8000.

Për kërë arsye qeveria ka porositur 10 000 ventilatorë të cilët do t’i prodhojë firma e njohur e fshisave (thithëseve) elektrike ‘Dyson’.

Tjerat më vonë. Një zyrtar i lartë për shëndetësi ka bërë me dije se lufta kundër virusit nuk është vrapim ‘sprint’ por është ‘maratonë’.

Mbrëmë në orën 8, miliona britanikë i kanë duartrokitur njerëzve që janë angazhuar në shërbimet shëndetësore për mposhtjen e epidemisë.

Duartrokita edhe unë.

Nga qindra familje që ka lagjja ime, unë i njoh vetëm 4 apo 5. Pasi që shumicën e tyre nuk i shoh kurrë, kam menduar që disa shtëpi dhe banesa janë të zbrazëta.

Por, nuk ishte ashtu dhe mbrëmë të gjithë dolën për të aplauduar. Pa marrë parasyshë që nuk njihemi mes veti, shpresoj se në fund të kësaj epidemie të gjithë do të mbetemi siç jemi.