Kurti e Abdixhiku dakordohen për emrin e Bekim Sejdiut për president

Albin Kurti (LVV) e Lumir Abdixhiku (LDK) kanë arritur marrëveshje për presidentin e vendit.

Ata janë dakorduar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president.

“Kemi pasur takime të gjata, me diskutime të vazhdueshme dhe mjaft intensive. Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje dhe që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore. Nga të gjithë emrat e propozuar e shqyrtuar, jemi dakorduar për një emër dhe ai është profesor doktor Bekim Sejdiu“, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është deklaruar në konferencën për media ku u njoftua arritja e marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin për president.

Kurti, ndonëse ishte i pranishëm gjatë gjithë konferencës, nuk mbajti fjalim dhe nuk dha deklaratë për marrëveshjen e arritur.