Arsimtari Jakup Abazi nuk mbahet mend vetëm për Fiatin ngjyrë portokalli, po edhe për dijen dhe mësimet që u dha nxënësve të tij
Në fillim të viteve ’70-ta, Jakup Abazi nisi punën si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Nga viti 1973/74 deri në vitin 1995, pjesën më të madhe të rrugëtimit të tij e kaloi në shkollën fillore “Muharrem Shemsedini” në Bibaj të Ferizajt.
Edhe sot, ish nxenes të tij apo njerëz të gjeneratës së vjetër nga Bibaj, flasin me nostalgji për arsimtarin Jakup.
E kujtojnë për përgatitjen, elegancën dhe mënyrën se si e bënte punën e tij.
Madje, shpesh thonë me buzëqeshje: “Po qysh mos me e mbajt mend arsimtarin Jakup me Fiatin ngjyrë portokalli!”
Në atë kohë, një veturë e tillë ishte luks i rrallë.
Për të birin e tij, Agron Abazi, gazetar, më i çmuar se Fiati, me të cilin mbahet mend Jakupi.
“Për mua, më i çmuar nuk është Fiati. Është mënyra se si e kujtojnë si arsimtar. Nuk ka vlerësim më të madh sesa të dëgjosh, edhe pas kaq vitesh, fjalë të mira për punën dhe gjurmën që ka lënë pas prindi” – thotë Agroni.
Jakup Abazi u nda nga jeta më 7 tetor 2005, në moshën 61-vjeçare.
Koha e mori nga kjo jetë, por nuk mundi t`i fshijë kujtimet e tij.
“Për mua, mbetet gjithmonë heroi im, babai im, arsimtari Jakup”, ka shkruar Abazi./Mediafokus

