Bekim Sejdiu, kandidat konsensual për President: Do t’i shërbej Kosovës me devotshmëri
Kandidati për president, Bekim Sejdiu u shpreh i nderuar që ka marrë mbështetjen e të dyja partive, duke konfirmuar se e ka pranuar propozimin.
“Kjo më bën të ndihem i nderuar për besimin që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fushën akademike”, deklaroi ai.
Sejdiu tha se është i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i presidentit, veçanërisht në rrethanat aktuale politike.
“Jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë”, u shpreh ai, duke shtuar se motivi i tij kryesor për pranimin e propozimit është që të vihet në shërbim të Kosovës.

