Policia e Kosovës po heton organizatën që po kërkon para nga mërgimtarët

Në prag të zgjedhjeve është hapur një platforma “Du me Votu”, e cila u ka dërguar e-maile te disa mërgimtarë për të kërkuar para lidhur me projektin që u ofron atyre asistencë për procedurat e votimit nga jashtë Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Laura Forster, mërgimtare që jeton në Portsmouth të Anglisë, thotë se të dhënat e saj po shfrytëzohen ilegalisht nga kjo OJQ dhe dyshon se ato mund të kenë rrjedhë nga aplikimi që ka bërë në Komisinoin Qendror të Zgjedhjeve, njofton Klan Kosova.

Duhet theksuar se nga KQZ nuk kthyen përgjigje të dielën nëse të dhënat e aplikuesve nga mërgata kanë mundur të kenë dalë jashtë institucionit. Veçse thanë se platforma në fjalë është e paautorizuar nga ta.

Nga “Du me votu” thanë se i përdorin vetëm të dhënat e personave të regjistruar dhe se nuk kanë pranuar asnjë ankesë për shkelje të të dhënave personale. Kurse ndihmën financiare e kërkojnë me arsyetimin se janë shpenzuar për ndërtimin e ueb-faqes, pagesën e programerëve dhe shërbime të tjera.

Ndërkohë, aplikacioni i lansuar nga ta, në të cilën thuhet se janë regjistruar 25 mijë mërgimtarë, është në shënjestër të policisë kosovare, e cila para dhjetë ditësh ka nisur hetimet.