Dy motra nga Kosova, një histori suksesi në fushën e inxhinierisë në Gjermani

Nga studimet universitare dhe përvojat ndërkombëtare, drejt një kapitulli të ri profesional në Gjermani.

Ky është rrugëtimi i motrave Blerina dhe Lorika Kodraliu, ish-studenteve të dalluara, të cilat sot po zhvillojnë karrierën e tyre në kompani ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.

Të dyja kanë përfunduar studimet Bachelor dhe Master, gjatë të cilave u dalluan për rezultatet akademike.

Ato ishin gjithashtu përfituese të bursave dhe janë vlerësuar me mirënjohje për suksesin e tyre në studime.

Blerina Kodraliu, e diplomuar në Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore, gjatë studimeve përfitoi nga programi Erasmus+, përmes të cilit realizoi dy shkëmbime akademike, në Bullgari dhe Itali.

Sot, Blerina është pjesë e Takeda në Gjermani, kompani farmaceutike globale, e cila ka një nga qendrat e saj të rëndësishme për prodhimin e vaksinës kundër Dengue.

Ndërkaq, Lorika Kodraliu, e diplomuar në Inxhinieri Ekonomike, po e zhvillon karrierën e saj në ACE Advanced Composite Engineering, kompani e specializuar në teknologjitë e avancuara të materialeve kompozite, e cila bashkëpunon me marka prestigjioze të industrisë automobilistike, përfshirë Porsche, Lamborghini dhe Audi.

Dy motra, dy profile inxhinierike dhe dy rrugë profesionale, por me një pikënisje të përbashkët: universitetin.

Rrugëtimi i Blerinës dhe Lorikës dëshmon se përkushtimi ndaj studimeve, puna e vazhdueshme dhe shfrytëzimi i mundësive akademike mund të krijojnë mundësi për një karrierë përtej kufijve.

Historia e tyre mund të shërbejë edhe si frymëzim për studentët e rinj që synojnë të zhvillohen profesionalisht dhe të ndërtojnë një të ardhme në tregun ndërkombëtar.

Sukseset e tilla përbëjnë jo vetëm arritje personale, por edhe një burim krenarie për universitetin, i cili sheh ish-studentët e tij të ecin përpara dhe të dëshmojnë vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch