Eros Halili nga Gjilani, një tjetër i ri shqiptar që po ngre lart emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Fizikani i ri nga Gjilani, Eros Halili, ka arritur një sukses të rëndësishëm pasi punimi i tij shkencor është pranuar për prezantim në Kongresin Evropian të Fizikës Mjekësore, ECMP 2026, që do të mbahet në Valencia të Spanjës, shkruan revista Ora.

Sipas raportimeve, kjo është hera e parë që Kosova do të ketë një prezantues zyrtar në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore evropiane.

Punimi i Halilit mban titullin “Monte Carlo-based validation of electron beam dosimetry for clinical QA using FLUKA” dhe lidhet me verifikimin e saktësisë së dozimit të rrezatimit në trajtimet mjekësore, një element shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe efektivitetin e trajtimit të pacientëve.

ECMP konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme të fizikës mjekësore në Evropë, ku mblidhen studiues, fizikantë mjekësorë, klinicistë dhe ekspertë të teknologjive shëndetësore nga vende të ndryshme të botës.

Kongresi do të zhvillohet nga 23 deri më 26 shtator 2026 në Valencia.

Për Eros Halilin, ky sukses nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një mundësi për të përfaqësuar potencialin shkencor të Kosovës në një skenë të rëndësishme ndërkombëtare.

Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë mentorin e tij, Gazmend Nafezi, për mbështetjen dhe udhëzimin gjatë punës kërkimore.

Një arritje që tregon edhe një herë se të rinjtë shqiptarë mund të konkurrojnë denjësisht në fushat më të avancuara të shkencës dhe teknologjisë./Mediafokus