Fitore Malaj zgjidhet ushtruese e detyrës së Rektores në Universitetin e Gjilanit

Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur më 31 korrik 2026, pas dorëheqjes së rektorit, Artan Dërmaku, ka zgjedhur Fitore Malajn ushtruese të detyrës së Rektores së këtij institucioni.

Fitore Malaj është profesore në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Për gjashtë vjet ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, duke udhëhequr procese të rëndësishme në fushën e zhvillimit akademik dhe të sigurimit të cilësisë.

Ajo ka qenë gjithashtu anëtare themeluese e Këshillit Drejtues, ku ka shërbyer për pesë vjet dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin institucional, strukturat e qeverisjes dhe proceset strategjike të Universitetit.

Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së Rektores, Fitore Malaj, falënderoi Këshillin Drejtues për besimin e dhënë dhe thekoi se marrjen e kësaj detyre e konsideron përgjegjësi, e jo privilegj.

Ajo u zotua se do të angazhohet me përkushtim për funksionimin e mirë të institucionit, avancimin e proceseve akademike dhe zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Këshilli Drejtues shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për Rektorin e deritashëm Artan Dërmakun për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë ushtrimit të mandatit të Rektorit, duke respektuar vendimin e tij për të dhënë dorëheqje.