Nëse është e vërtetë se Shqipëria ka rënë dakord për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër, atëherë Ministri Hoxha nuk duhet të qëndrojë më asnjë ditë në zyrë

Nëse lajmi i bërë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, është i vërtetë dhe Shqipëria ka rënë dakord për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër, atëherë Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha nuk duhet të qëndrojë më asnjë ditë në zyrë – ka thënë deputetja Albana Vokshi.

Për më tepër ajo ka shtuar se kjo nuk është një çështje teknike. Është një vendim me pasoja politike, diplomatike dhe strategjike për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.

Hapja e një konsullate justifikohet kur ekziston një komunitet i konsiderueshëm që ka nevojë për shërbime konsullore ose kur marrëdhëniet kërkojnë prani shtesë diplomatike.

Asnjë nga këto kushte nuk ekziston në Shkodër.

Censi 2023 e tregon qartë: në qarkun Shkodër janë vetëm 54 shtetas të vetëdeklaruar serbë.

Ndërkohë, në Luginën e Preshevës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë që përballen prej vitesh me diskriminim dhe mohim të të drejtave.

Vetëm pak ditë më parë, ministra serbë rikthyen retorikën për “spastrimin etnik” në Kosovë.

Ministri Ferit Hoxha nuk e dënoi publikisht këtë gjuhë, ndërsa tani mësojmë nga Beogradi se në të njëjtin takim qenka diskutuar, në parim, hapja e konsullatave.

Ministri Hoxha duhet t’u përgjigjet shqiptarëve:
• A është arritur një dakordësi e tillë?
• Kush e ka autorizuar?
• Cili është interesi i Shqipërisë?
• Çfarë përfiton vendi ynë nga një konsullatë serbe në Shkodër?

Ministri Ferit Hoxha duhet të dalë urgjentisht para opinionit publik dhe të sqarojë çfarë është diskutuar, çfarë është dakordësuar dhe mbi çfarë baze është marrë një vendim kaq i rëndësishëm – ka përfunduar Albana Vokshi.