Një 19-vjeçar nga Kosova arrestohet në Gjermani pas një grabitjeje në Bad Säckingen

Një 19-vjeçar me shtetësi gjermane dhe kosovare është arrestuar përkohësisht nga policia në Bad Säckingen të Gjermanisë, pas një sulmi ndaj një 20-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur më 5 shtator, rreth orës 01:00, në sheshin “Rudolf-Eberle-Platz”, ku, sipas të dhënave fillestare të policisë, të paktën tre persona dyshohet se kanë sulmuar dhe plagosur 20-vjeçarin. Gjatë incidentit, atij i është marrë edhe telefoni celular.

Pas kontrolleve të kryera në zonën përreth, policia ka arritur ta ndalojë 19-vjeçarin me shtetësi gjermane dhe kosovare, raporton albinfo.

Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve Penale në Waldshut-Tiengen, ndërsa autoritetet janë në kërkim të personave të tjerë të dyshuar.

Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve që kanë informacion për rastin të paraqiten. Banorëve të zonës u është kërkuar gjithashtu të kontrollojnë kamerat private të sigurisë për pamje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.